“Nuk mjafton të tregojmë sa i keq është Rama”, Mediu: E djathta duhet të bashkohet

schedule14:31 - 13 Janar, 2021

schedule 14:31 - 13 Janar, 2021

 Kryetari i Partisë Republikane shpreh kritika për liderin e opozitës, Lulzim Basha se nuk ka përcaktuar ende rrugët që e bëjnë opozitën fituese të zgjedhjeve të 25 prillit.

“Ne duam të fitojmë me Partinë Demokratike dhe i takon Partisë Demokratike që të paracaktojë dhe të tregojë se cilat janë rrugët e fitores, dhe e vetmja rrugë është rruga e ndershmërisë, për të pranuar se kush je dhe për të pranuar se me kë punon, për të ndërtuar një koalicion vlerash.

 E vetmja mënyrë për të ndërtuar një koalicion vlerash, elektorale dhe politike, është kur respekton dhe vlerëson peshën e çdo partie politike”, tha Mediu.

Mediu shumë herë gjatë fjalës së tij para anëtarëve republikanë theksoi faktin që e djathta duhet të ndërtojë një koalicion vlerash, e siç tha ai, të mos shërbejë si një aneks rehatie për politikanë të caktuar.

“E djathta duhet të bashkohet, por jo për të shërbyer si aneks apo qoshe rehatie për këdo politikan apo parti politike. E djathta duhet të bashkohet në radhë të parë në çdo qendër votimi, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nuk është e mjaftueshme që të tregojmë vetëm se sa i keq është Edi Rama. Është e domosdoshme të tregojmë që ne kemi forcën për të bashkuar shqiptarët kudo që janë”, u  shpreh ai.

Dhe thirrja e tretë e Mediu për Bashën është që të bashkojë të djathtën dhe njerëzit që kanë kontribuar ndër vite.

“Nuk mund të ketë sukses një parti politike, një opozitë, në qoftë se nuk do të dijë të vlerësojë, jo vetëm historinë e vet si vlerë e shkruar e historisë, e arritjeve, por sidomos si vlerë e kapitaleve njerëzore që kanë krijuar këtë histori. Prandaj është shumë e rëndësishme që në rrugëtimin tonë për të bashkuar shqiptarët më 25 prill, të bashkojmë në radhë të parë atë që është identiteti politik i të djathtës, të përndjekurit politikë, ata që u persekutuan, pronarët, themeluesit, krijuesit, ideatorët e lëvizjeve demokratike, ata që kanë kontribuar në këto 30 vite”, tha ndër të tjera ai.

Këto qëndrime kryerepublikani Mediu i shprehu gjatë një fjalimi para aktivit Tiranës në 30-vjetorin e Partisë Republikane, aktivitet ku folën disa prej atyre që kanë piketuar për kandidatë për deputetë.

/abcnews.al/