Nuk ka më sekrete, zbulohen aktorët dhe data kur fillon ‘Kosherja’ në ABC

schedule18:26 - 4 Mars, 2021

schedule 18:26 - 4 Mars, 2021

Në programin ‘Abc e Pasdites’ me moderatorin Ermal Peçi ishin të pranishëm disa nga aktorët e spektaklit “Kosherja” i cili do të startojë për herë të parë në ekranin e ABC në 14 mars, në orën 20:15. Lulzim Zeqja, Algiona Aga, Denis Kurushi, Ervin Doko thanë që janë të emocionuar për këtë spektakël pasi çdo dalje e të dielave është një premierë më vete dhe koha fizike e përgatitjes për to është vetëm një javë.  Algiona u ndal duke nënvizuar se është dy herë e ngarkuar emocionalisht pasi e kanë parë edhe në spektakle të tjera humori, por çdo fillim i ri ka emocione më shumë.

“Do vijmë me personazhe të rinj, kjo është pak por e sigurt. Me surpriza të reja që nuk i themi dot tani, por po përpiqem të bëj më të mirën time, duke qenë se kam qenë në një emision të ngjashëm”, tha Algiona.

Ndër të tjera Lulzim Zeqja shtoi se nuk do të ketë vetëm humor, por edhe shuplaka therëse për realitetin në vend. Nga ana tjetër Doko tregoi se patentë për të dhe për skuadrën është regjisori Altin Basha, I cili qëndron në krye te gjithë këtij formati.

‘Kosherja’ i ka dhënë mundësi jo vetëm zërave të njohur për publikun, por edhe artistëve të rinj. Denis Kurushi i cili është zbuluar me rolin e Edi Ramës në këtë spektakël, tha se është një mundësi shumë e artë  që të rinjtë të afirmohen më shumë.

“Përgjegjësia është e madhe sidomos kur starton një program i ri. Një format që ka konkurencë kudo, por që pritet që do bëj diferencën. Është një sfidë e bukur”, vijoi Kurushi.

Biseda me Ermalin pati edhe shumë batuta duke kulmuar me ‘pagesën’ e Ervinit. Ai tregoi se pagesën ja ka treguar komshinjve dhe është 30.000 Euro./abcnews.al