Një ditë pas stuhisë/Kthehet normaliteti në rrjetin hekurudhor gjerman

schedule14:21 - 19 Janar, 2018

schedule 14:21 - 19 Janar, 2018

Shërbimet hekurudhore në Gjermani po i kthehen normalitetit pas kaosit të shkaktuar nga stuhia e një dite më parë, që rrëzoi pemë dhe objekte në shinat e trenëve. Ka qenë një aksion masiv pastrimi i zhvilluar gjatë natës që ka bërë të mundur që transporti hekurudhor të jetë aktiv në zonat kryesore të Gjermanisë. Ndërkohë, në disa lokalitete të tjera aksioni është ende në zhvillim e sipër dhe në ndihmë të ekipeve të pastrimit janë vënë edhe helikopterë. Stuhia, e cila tashmë është zhvendosur në Poloni, ishte më e fuqishmja që ka goditur Republikën Federale në 11 vitet e fundit. Në të gjithë Europën ajo u mori jetën 10 personave. Në Gjermani, viktimat ishin dy zjarrfikës dhe dy shoferë kamioni, mjetet e të cilëve u hodhën tutje nga erërat e forta. Operatori i hekurudhave, Deutsche Bahn deklaron se mbi 200 stacione u dëmtuan nga stuhia e fundit. Por pritet që brenda fundjavës situata të jetë tërësisht si më parë. Ndërkohë, qindra mijëra udhëtarë u bllokuan nëpër stacione ditën e enjte, ndërsa hotelet patën një fluks prenotimesh të minutës së fundit. Të tjerë e kaluan natën nëpër stacione. Në Lajpcig, në lindje të Gjermanisë, stuhia shkaktoi edhe një ndërprerje të energjisë, defekt që mori një vëmendje të shtuar nga autoritetet. Në mbarë Gjermaninë u verifikuan edhe aksidente të shumta rrugore./abcnews.al