Sesioni i ri parlamentar nis me matje forcash

schedule17:28 - 21 Janar, 2019

schedule 17:28 - 21 Janar, 2019

Opozita qëndroi në seancën e parë të sesionit të ri, vetëm për të dhënë mesazhet e veta. Lulzim Basha deklaroi se nuk ka zgjidhje tjetër përveç protestave deri në largimin e Edi Ramës. Por kryeministri tha se sa të jetë Partia Socialiste, opozita nuk vjen në pushtet.

Çelja e sesionit të ri parlamentar e gjeti sallën e seancave plenare plot. Kabineti qeveritar, i rifreskuar pas seancës së jashtëzakonshme të 16 Janarit. Një mungesë në radhët e tyre është ajo e ministrit të Jashtëm, dekretet presidenciale për të cilin, pjesë e rëndësishme e rendit të ditës. Pas fjalimit proceduriale të kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, fjalën e morën krerët e grupeve parlamentare opozitare. Asgjë nuk dukej se mund të nxiste kreun e qeverisë Edi Rama i papërfshirë në debat deri në momentin kur foltoren e mori kreu i demokratëve Lulzim Basha.

“Shikojini pak këta njerëz, më thoni, a i dini emrat e disave prej tyre? A e dini emrin e kësaj zonjës, e njihni kush është? A e njihni o socialistë kush është kjo zonjë? Kush është kjo tjetra? Po kjo tjetra kush është? i njihni apo jo? A i njihni kush janë? Bashkëqytetarë socialistë, anëtarë të Partisë Socialiste, a i njihni kush janë këta? Çfarë janë? Janë kukullat e këtij”, tha Basha.

Mburojë iu bë vetë kryeministri.

“Pa pikë turpi kthehet dhe thotë kush janë? Po ky kush ishte? Nga erdhi ky që akoma nuk dihet e ka mbaruar apo jo shkollën”, tha Rama.

Për Lulzim Bashën ka vetëm një arsye në anonimitetin e një pjese të kabinetit qeveritar.

“Ata ja kanë sjellë. Pazaret e milionave. 20 milionë euro kilometri te Unaza. Këta jua kanë sjellë, që ky të vazhdojë të firmosë për çdo gjë, pa e penguar njeri. Në fakt atë bënte edhe më përpara, por këta kishin njëfarë profili politik”, tha Basha. 

Ndryshe nga seanca e jashtëzakonshme e një jave më parë, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi një sy e mbylli sa i përket kohës së fjalës gjatë së cilës kreu i demokratëve rikonfirmoi rolin që i veshi opozitës disa ditë më parë.

“Një gjë ju garantoj. Duke nisur nga sot, PD dhe opozita ka një dhe vetëm një mision; ti prijnë qytetarëve drejt të drejtës së tyre më legjitime. Të bëhen zot të fateve të vendit, të bëhen zot të fateve të familjeve të tyre, të bëhen zot të fateve të fëmijëve të tyre, të bëhen zot të fateve të tyre, të bëhen zot të fateve të këtij parlamenti dhe të kësaj qeverie përmes një kryengritje demokratike popullore për ti dhënë fund regjimit të këtij të marri psiqik që vjedh dhe shkatërron Shqipërinë. Kjo duhet të marrë fund një orë e më parë”, tha Basha.

Teksa ky i fundit i drejtohej foltores, opozita braktisi sallën.

“Por, nga ana tjetër, pikërisht pse ne nuk jemi uzurpatorë të pushteteve, por jemi reformatorë të shtetit, pikërisht pse ne nuk jemi ata që duam të kontrollojmë çdo gjë, por jemi ata që duam të vëmë kontrollin e ligjit mbi të gjithë, sot jemi ne ata që duhet të shtrëngojmë dhëmbët, të durojmë edhe dënglat e këtyre e të shtyjmë përpara reformën në drejtësi e të gjitha reformat e tjera”, u shpreh Rama./abcnews.al

Një paralajmërim ia drejtoi çdo demokrati.

 “Këta nuk vijnë më këtu, sa të jetë Partia Socialiste e Shqipërisë, me mua, ose pa mua”, theksoi ai.

Më pas deputetët e mazhorancës vijuan me votimin e dy dekreteve të presidentit Meta, atë që zhvesh nga pushteti i kreut të diplomacisë shqiptare Ditmir Bushatin dhe atë që karrigen ia kalon vetë kryeministrit Edi Rama.

Me 78 vota socialistësh parlamenti votoi edhe zëvendësimin e krerëve të komisioneve parlamentare aty ku marrja e postit të ministrit la vakanca. Kështu në vend të Erjon Braçes, sot zv/kryeministër, në krye të komisionit të ekonomisë u votu ish ministri Ahmetaj, në vend të Eduard Shalsit drejtimin e komisionit të veprimtarisë prodhuese e mori Niko Peleshi, ndërsa atë të zv/kryetares së komiisonit të shëndetësisë, lënë bosh nga sot ministrja Elisa Spiropali, u votua kolegia e saj Klodiana Spahiu.

I pazëvendësueshëm deri më tani rezulton sot ministër i Bujqësisë, Blendi Çuçi, postin e të cilit në krye të komisionit për reformën zgjedhore, parlamenti e la ende vakant, duke votuar vetëm shtyrjen e afatit të këtij komisioni me 30 ditë.