Nis numërimi mbrapsht për formimin e qeverisë Italiane, mesazhet e para të Melonit dhe shqetësimi i BE-së

schedule08:46 - 27 Shtator, 2022

schedule 08:46 - 27 Shtator, 2022

Ka nisur numërimi mbrapsht për formimin e qeverisë italiane. Qendra e djathtë “Vëllezërit e Italisë” fituan zgjedhjet e përgjithshme në Itali.

Referuar rezultateve, partia e udhëhequr nga Giorgia Meloni arriti të sigurojë 26% të votave, duke lënë pas rivalin më të afërt Enrico Letta, nga qendra e majtë. Udhëheqësja e ekstremit të djathtë pritet të jetë kryeministrja e re duke u bërë kështu gruaja e parë në Itali që merr këtë post.

Gjatë fjalimit para mbështetësve, Meloni deklaroi se do të qeverisë për të gjithë dhe nuk do të tradhtojë besimin e popullit.

Lexo edhe: VIDEO/ “Unë jam Georgia, grua, nënë”, fjalimi viral i Melonit teksa shkon drejt marrjes së pushtetit

Partia e Melonit po përgatitet të udhëheqë koalicionin qeveritar italian së bashku me partitë e Matteo Salvinit dhe Silvio Berlusconit.

Ndërkohë Bashkimi Ervopian ka shprehur shqetësimet e para në mënyrë indirekte për ngjitjen në pushtet të rrymave ekstremiste, siç është partia e djathtë e Melonit, e cila cilësohet si parti me ideologji fashiste.

Me votat e numëruara nga 90% të qendrave të votimit, “Liga” e Matteo Salvinit ka 8.9% të votave, ndërsa “Forza Italia” e Silvio Berlusconit 8.3%, që do të thotë se në përgjithësi koalicioni i krahut të djathtë ka 44.3% të votave.

Në anën e kundërt, koalicioni i qendrës së majtë ka në total 26.06% të votave.

Deklarata e parë e Melonit pas zgjedhjeve kishte për qëllim të qetësonte Italinë dhe vendet e BE-së:

“Italia na zgjodhi dhe ne nuk do ta mashtrojmë. Nëse thirremi për të qeverisur, do ta bëjmë këtë për të gjithë italianët, me synimin për të bashkuar këtë popull dhe për të theksuar atë që i bashkon dhe jo atë që i ndan. Ne do të punojmë me qëllimin për t’i bërë italianët krenarë që janë”.

Ndërkohë udhëheqësi i koalicionit të qendrës së majtë Enrico Letta pranoi humbjen, duke thënë se nuk do të kandidojë përsëri për udhëheqjen e partisë së tij pranverën e ardhshme.

“Është një gjest dashurie për partinë dhe e përsëris, lidershipi im do të përfundojë sapo kongresi të zgjedhë një lider të ri… Besoj se ky vend meriton një opozitë shumë të fortë dhe shumë efektive që mund t’i shërbejë interesave të italianëve qytetarë.”

Salvini, u ndal te fitorja e koalicionit të djathtë:
“Për Italinë sot është një ditë e bukur, sepse kemi pesë vite stabilitet përpara nesh. Ne sot duhet të komentojmë një rezultat që nuk më kënaq, padyshim që 9% nuk është rezultati për të cilin kam punuar, por ne jemi, me 9%, në një qeveri të qendrës së djathtë, në të cilën do të jemi protagonistë”.

Kujtojmë se Italia është zhytur në një krizë të zgjatur ekonomike prej shumë vitesh, ku borxhi i saj publik arriti në 150% të PBB-së së saj, ndërsa inflacioni shkoi mbi 9%, me faturat e gazit dhe energjisë elektrike që krijuan probleme në miliona familje italiane, siç po ndodh në të gjithë Evropën.

Këto zgjedhje të parakohshme parlamentare cilësohen si vendimtare për të ardhmen politike të vendit dhe rolin e Italisë në BE. Aleatët e Melonit kanë raporte të ngushta me Rusinë. Berlusconi javën e kaluar pretendoi se presidenti rus, Vladimir Putin, “u shty” që ta pushtonte Ukrainën, ndërkaq Salvini ka hedhur dyshime mbi sanksionet që Perëndimi ka vendosur ndaj Moskës.

Edhe pse Giorgia Meloni ka punuar që të zbusë imazhin e saj, duke theksuar mbështetjen për Ukrainën dhe duke ulur retorikën kundër BE-së, ajo drejton një parti që e ka prejardhjen nga një lëvizje e pasluftës që u ngrit nga fashistët e diktatorit Benito Musolini.

Partia fituese ka rishikuar disa nga pikëpamjet dhe politikat e saj në vitet e fundit për t’u bërë më e zakonshme. Meloni dhe partia e saj kanë pasur prej kohësh pikëpamje euroskeptike.

Dikur flitej për daljen nga euro dhe për të kërkuar ndryshime në rolin e Italisë në Evropë – duke i bërë disa të frikësoheshin se mund të ndiqte një version italian të Brexit.
Por platforma e saj zgjedhore e angazhon partinë për integrimin evropian.

Një fushë ku partia mbetet e fortë është kontrolli i imigracionit. Ajo është akuzuar për politika raciste apo fashiste nga kundërshtarët e saj. Por ajo thotë se dëshiron vetëm të luftojë imigracionin e paligjshëm dhe të ketë “menaxhim të rregullt” të migracionit legal.

“Vëllezërit e Italisë” u themelua dhjetë vjet më parë , ndërsa Giorgia Meloni mori udhëheqjen që nga viti 2014. Në vitin 2020 Meloni mori gjithashtu udhëheqjen e grupit politik të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR), i cili përfshin edhe të tjerë ultra-konservatorë dhe euro- forcat skeptike të politikave të tilla si Partia për Ligjin dhe Drejtësinë në Poloni./abcnews.al.