Nis me debate seanca plenare, deputetët e Berishës kërkojnë mosnjohjen e ndryshimeve të bëra nga Basha

schedule16:38 - 17 Janar, 2022

schedule 16:38 - 17 Janar, 2022

Ka nisur me debate seanca e parë plenare për vitin 2022 në Kuvendin  e Shqipërisë.

Deputetët të cilët kanë dalë hapur si mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha kanë kërkuar nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla që ndryshimet e bëra nga kreu i të djathtëve Lulzim Basha të mos njihen.

Deputetë si Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi dhe Flamur Noka janë shprehur se seanca e sotme ka nisur me dokumente që nuk janë reale dhe që “janë nul”

“Po fillojmë keq, me dokumente qe nuk janë reale, që janë nul. Jeni në dijeni të ndryshimeve që janë bërë. Mos paraqisni dokumente që nuk i përshtaten realitetit. Mos u bëni bashkëpunëtore. Këto janë ndryshime antikushtetuese që shkelin të drejtat dhe rregulloren e këtij vendi. Deformime të thella të realitetit dhe të qëllimshme. T’i quajmë nul. I kanë sjellë njerëz po s’kanë asnjë vlerë,” tha ndër të tjera Sheu.

Kurse Bylykbashi i kujtoi kryeparlamentares që rregullorja e Kuvendit përcakton që janë deputetët ata që e formojnë Grupin Parlamentar dhe jo partitë.

“ Jemi deputetë të PD. Ju ftoj juve dhe kolegëve të mi që ta refuzojnë shkeljen e Kushtetutës, duke kufizuar tagrat përfaqësues të deputetëve.”

Flamur Noka përsëriti se mes kreut të të djathtëve Basha dhe kryeministrit Rama ka një marrëveshje që “të trajtohen në mënyrë specifike me dashuri” në Parlament.

Ai tha se i Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit është organi i vetëm legjitim i PD-së deri në mars kur do të bëhen zgjedhjet.

“Keni marrë urdhër nga kreu i regjimit, që shoqata e bravare, të trajtohet në mënyrë specifike dhe me dashuri të veçantë nga ana juaj. Pa shoqatën jeni të mbaruar. I duhet kreut të regjimit një shoqatë të bravave.  Mendoni se do të shuani zërin opozitar. Deputetët nuk janë peng, pavarësisht se ju keni marrë kreun e shoqatës së bravave peng. Deputetet janë zgjedhur me vullnet të lirë. Nuk ua përcakton përkatësinë veç atyre demokratëve që i kanë votuar.”

Kryeparlamentarja Nikolla u është përgjigjur deputetëve se është vënë në dijeni të shkresës së Komisionit të Rithemelimit por shtoi që rregullorja i përcakton kufijtë në të cilët mund të veprojë.

“Grupet janë kosntituar ë Kuvend. Unë sot bëra atë që më thotë rregullorja. Atë që grupi i PD më ka përcjellë.” 

Kujtojmë se kryedemokrati Lulzim Basha i ka dërguar ditën e sotme një shkresë Kuvendit në lidhje me ndryshimet e bëra në strukturat e partisë pas përplasjeve të brendshme.

Përmes shkresës Basha ka vënë në dijeni Kuvendin për zgjedhjen e Enkelejd Alibeajt në postin e kryetarit të grupit parlamentar të PD duke zëvendësuar në këtë post Alfred Rrushajn.

Krahas Albana Vokshit, Flamur Nokës dhe Edmond Spahos me vendim të grupit parlamentar, duke nisur prej datës 15 Janar 2022 është përjashtuar edhe deputeti Luan Baci.

Basha vuri në dijeni parlamentin edhe për emërimin e zëvendësit të ri të Lindita Nikollës në krahun e opozitës. Në këtë post, në vend të Alibeajt u emërua Agron Gjekmarkaj.

Ndryshimet e tjera që u propozuan kanë të bëjnë me drejtimin e komisioneve parlamentare dhe në Byronë e Kuvendit, si më poshtë:

Kryetar i Komisionit të Shëndetësisë: Grida Duma

Kryetar i Komisionit të Arsimit: Flutura Açka

Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve:Dhurata Çupi

Sekretariati për Buxhetin: Xhelal Mziu (sekretar)

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën: Bledion Nallbati (anëtar)

Sekretariati për Statusin e Deputetit: Dashnor Sula (sekretar)

Sekretariati për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet: Lindita Metaliaj (anëtar) /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!