KOSOVË- Zbulohen rreth 1 milion euro të padeklaruara në pikëkalimin kufitar Merdare. Mësohet se i përfshirë efektivi i komisariatit nr 5 në Tiranë.
Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë selektuar një automjet për kontroll të detajuar, në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative.
Sipas burimeve mësohet se i përfshirë në transportimin e kësaj shume parash është efektivi Aurel Kaziu i cili është arrestuar.
Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij.
Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike.
Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit. Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1,000,000 (një milion) euro.


