Ngjarja në Bularat, Nano: Ai nuk është hero

schedule20:39 - 30 Tetor, 2018

schedule 20:39 - 30 Tetor, 2018

Në monologun e sotëm të emisionit “Provokacija”, Mustafa Nano shprehu mendimin e tij mbi ngjarjen në Bularat, ku mbeti i vrarë ekstremisti grek.

“Të dashur grekë. Ne jemi fqinjë. Ju jeni fqinjët tanë. Ne jemi fqinjët tuaj. Ky është një fakt i pandryshueshëm në këtë botë. Nuk është një fakt i pandryshueshëm për ca kohë, për ca vjet, për ca dhjetëvjeçarë, për ndonjë shekull. Është një fakt i pandryshueshëm për gjithë kohën, me gjasë përsa kohë të ekzistojë planeti Tokë. Ne mund të grindemi, mund të karfosemi, mund të bëjmë konflikt, mund të bëjmë luftë me njëri-tjetrin, ne mund të vritemi e të bëjmë që gjaku ynë, i joni dhe i juaji, të shkojë rrëke, por pasi çdo gjë të ketë marrë fund, do të kuptojmë se asgjë nuk ka ndryshuar: ju do të keni për fqinjë shqiptarët, e ne shqiptarët do të kemi për fqinjë grekët. Dhe kjo është një gjë elementare për t’u kuptuar. Është si një dhe një që bëjnë dy.

Mirëpo ka njerëz që megjithatë nuk e kuptojnë. Një nga këta ishte edhe Konstantinos Kacifasi. Shikoni se çfarë shkruante ai në facebook, disa ditë para se të ndodhte ajo që ndodhi. “Rama dhe Ciprasi nuk i kanë bërë mirë llogaritë. Të jeni të sigurtë. Rinia e Vorio-Epirit nuk do të qëndrojë duarkryq. Të gjithë grekët që jetojnë në Vorio-Epir, më 28 tetor duhet të japin vetëm një mesazh: ‘Epiri i veriut, tokë helenike. Greqi ose vdekje’.” Ai pra i ka përjetuar keq përpjekjet e Ramës dhe të Ciprasit për të hapur një epokë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve (nëse ky është vërtet qëllimi i tyre), ai ka qenë duke vuajtur prej këtyre përpjekjeve, një Zot e di se sa është torturuar. Dhe prandaj, bëri atë që bëri.

Ka disa grekë që po e shohin si një hero të tyrin Konstantinin. Dhe sipas një kriteri të moçëm, “klasik”, pse të mos e shohin si hero. Ai dha jetën pasi nguli një flamur grek, në një kodër mbi Bularat. Ai u vra nga armiqtë e Greqisë, që janë shqiptarët. Ai dha jetën duke shtënë kundër ushtarëve shqiptarë. Ai dha jetën me fjalën Vorio Epir në gojë. Gazeta Protothema, sipas Panoramës sonë, shkruante se “Konstantini ishte me ndjeshmëri të madhe patriotike; ai ishte udhëheqësi i një grupi të madh të Epirit të Veriut në tubimet e fundit paqësore në Athinë e në Selanik, duke mbajtur në dorë flamurin e madh grek”. Tani, unë nuk i njoh frymëzimet e kësaj gazete, por lexohet në këto rreshta një simpati për qëndrimet e Konstantinit. Asnjë kritikë mbi thirrjet “Greqi ose vdekje”, apo “Epiri i veriut, tokë helenike”, apo mbi ekstremizmin e Kacifasit në përgjithësi. Ai që e ka shkruar këtë artikull, lë të kuptohet mes rreshtave se Konstantini është një hero, një dëshmor, një martir.

Mirëpo ai nuk është hero. Unë e di që sikur një shqiptar të bënte të njëjtën gjë, sikur një shqiptar të dilte nëpër rrugët e Prevezës e të bërtiste “Preveza është shqiptare”, sikur ai shqiptar të valëviste atje flamurin e Shqipërisë, dhe ndërkohë të shtinte me armë, e pas kësaj të vritej nga policët grekë, unë e di pra që do ishin të shumtë shqiptarët që do ta shpallnin hero. Mirëpo njerëz të tillë nuk janë heronj. Njerëz të tillë janë viktima, asgjë tjetër veçse viktima. Dhe si të tillë duhen trajtuar. Dhe si të tillë, ne duhet të kemi edhe keqardhje për ta. Ne duhet të bëjmë çmos që të kemi sa më pak viktima të tilla. Por ndërkohë le ta themi, pa ngurim, që në këtë mes nuk bëhet fjalë për heronj. Në vitin 2018 heronj nuk janë ata që bërtasin Epiri i veriut është tokë helenike, apo ata që bërtasin Epiri i Jugut është tokë shqiptare. Heronj janë ata që kanë kuptuar se grekët e shqiptarët janë fqinjë të përjetshëm mes tyre, e prandaj shansi i vetëm i tyre është paqja, harmonia. Njerëz të tillë pra janë heronj. Por pyetja është: A ka heronj të tillë? Ku janë? Ua them unë ku janë: Nuk bëhen të gjallë pasi kanë frikë se shpallen tradhëtarë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!