Përgjimet zyrtare nuk kanë kursyer as kryeministrin Edi Rama.
Gazeta gjermane Bild zgjedh këtë video të publikojë të parën për të treguar më pas se pse ky person me emrin Arben Keshi ka folur në telefon me kryeministrin për ecurinë e zgjedhjeve në Dibër.
Në audio përgjimin e radhës atij i shprehet vlerësimi që kreu i qeverisë ka për të. Është ish-deputeti i Partisë Socialiste Artan Gaçi, njëherësh edhe bashkëshorti i Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhacka që ia transmeton.
Referuar audio përgjimeve të publikuara nga Bild Arben Keshi është personi që është marrë elektoratin dibran. Ai i ka kërkuar drejtorit të drejtorisë arsimore rajonale në Dibër që të telefonojë drejtorët e shkollave për t’i kujtuar të votojnë për Partinë Socialiste në të kundërt, një ditë pas zgjedhjeve në Dibër të gjithë do të jenë të pushuar.
Drejtori i arsimit ka marrë të njëjtën telefonatë edhe nga ish deputeti Pjerin Ndreu që sot kandidon për kryebashkiak të Lezhës i cili i ka kërkuar që Reshat Elezaj një drejtor shkolle ta deklarojë hapur votën për socialistët në të kundërt do të pushohet nga puna.
Në një tjetër audio përgjim tregohet se si i bën presion drejtori i arsimit vartësve të tij për të votuar Partinë Socialiste.
Është Arben Keshi që jep informacion për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor tek ish-ministri Damian Gjiknuri i cili i thotë se se do t’i çojë tek qendra votimit disa djem problematik që t’i ketë për çdo rast.
Ish-ministrit Gjiknuri i është publikuar edhe një bisedë tjetër, këtë herë me një biznesmen që sipas informacionit të bërë public nga gazeta Bild i kërkon informacion se kush është angazhuar për të mbuluar transportin e parave në një komunë të Dibrës.
Në dy audio përgjime shfaqen bisedat e Arben Keshit me shefin e komisariatit të Kamzës ku ky i fundit i tregon se kreu i Bashkisë së Kamzës ka nisur 450 njerëz me furgon drejt Lurës dhe Reçit, gjë që shqetëson organizatorët socialistë
Publikimi i audio përgjimeve ka vazhduar me bisedat mbi shumën e paguar apo që pretendohen të marrin votuesit në këmbim të votës.
Audio përgjimi i fundit tregon se si konfirmohet blerja e votës shkruan gazetari në videon e transkriptuar.
Gjithsej janë 16 audio përgjime zyrtare të publikuara nga gazeta gjermane Bild që risjellin në vëmendje procesin zgjedhor në Dibër./ABC News Albania 24/7