Nga Mitrovica në Kukës/ Të strehuar nga lufta, të bashkuar nga vëllazëria, rrëfimet nga eksodi ‘99

schedule20:13 - 19 Prill, 2025

schedule 20:13 - 19 Prill, 2025

KUKËS– Për 26 vite me radhë, në prill Kukësi hap dyert për qindra mijëra qytetarë të Kosovës, të cilët vijnë për ta falënderuar për atë bujari e mikpritje në pranverën e vitit 1999.

Asokohe gjysmë milionë vetë u shpërngulën me dhunë nga trojet e tyre si pasojë e spastrimit etnik që ndërmorën forcat paramilitare serbe.

Për Ukshin Hasanin nga Mitrovica, Kukësi ishte strehë dhe shpëtim, e ndaj e vlerësojnë vendin si “Meka e shqiptarëve”. Ukshini dhe Ferideja janë nga Mitrovica, por edhe Sefer Merovci nga Vushtria, thonë se kur mbërritën në Kukës nga ai rrugëtim I jashtëzakonshëm ishte çlirim I plotë për ta dhe familjet e tyre.

Udhëtimi nga Mitrovica ka zgjatur dy ditë për ata që kanë udhëtuar me automjet e për të tjerë edhe më shumë. Ferideja ka udhëtuar me autobuzin e fundit, ndërsa të tjerët edhe me traktorë…

Nipi I Ferides ka lindur po atë ditë në anë të lumit Ibër. Tregon se sa e vështirë ishte gjendja. Bashkë me djalin I kanë shpëtuar fatmirësisht plumbave të policisë serbe.

Ukshini ishte bashkë me dy luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët fatkeqësisht u vranë dhe ranë dëshmorë, ndërsa Ukshini është zënë I gjallë, duke mos besuar se do të nisej për në Shqipëri.

Për ata, rikthimi në Kosovë pas luftës ka qenë gëzimi dhe arritja më e madhe, ndaj ngjarje të tilla s’duhet të harrohen.

Ferideja vjen çdo vit në Kukës në shenjë falënderimi dhe thotë se gjithmonë duhet të përkujtohet kjo ngjarje.

Për Sefer Merovcin megjithëse kanë kaluar 26 vite nga ajo ngjarje me përmasa biblike, nuk është ndërtuar asnjë muze, por sipas tij nuk është vonë asnjëherë që të ndërtohet një I tillë për këtë periudhë të rëndësishme të historisë kombëtare.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!