Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Nga Korça në ShBA me një valixhe të vogël. Gerona, këngëtarja shqiptare që ndërtoi ëndrrën mes muzikës e biznesit

schedule13:17 - 3 Korrik, 2026

schedule 13:17 - 3 Korrik, 2026

Nga një vajzë korçare me ëndrra të mëdha, në një artiste dhe sipërmarrëse të suksesshme në Shtetet e Bashkuara. Ky është rrugëtimi i këngëtares Gerona Hyska, e cila prej tetë vitesh jeton në Michigan, ku ka ndërtuar një jetë mes muzikës, biznesit dhe sfidave të emigracionit.
Gerona tregon se lidhja me Korçën mbetet e pandashme. Edhe pse sot jeton mijëra kilometra larg, qyteti ku lindi vazhdon të jetë burimi i frymëzimit dhe identitetit të saj.

“Jam një vajzë korçare dhe do ta kem gjithmonë një lidhje të fortë me qytetin tim. Muzika për mua nuk është thjesht profesion, por mënyrë jetese”, shprehet ajo.
Edhe pse studioi Ekonomik dhe më pas u specializua në Francë, pasioni për muzikën e shoqëroi në çdo hap. Ajo kujton se që fëmijë krijonte këngë për babain, vetëm për të parë reagimin e nënës, ndërsa talentin beson se e ka trashëguar nga familja e të atit.

Rrugëtimi artistik nisi në skena të njohura si “X Factor” dhe më pas në “Festivalin e Këngës” në RTSH, por ëndrra për të jetuar në Amerikë vazhdonte ta shoqëronte.
“Mendoja shpesh si do të ishte të jetoja në Amerikë. Jeta të çon aty ku nuk e pret dhe askush nuk lind i suksesshëm”, thotë ajo.
Vendimi për t’u shpërngulur përfundimisht në SHBA nuk ishte i lehtë. Fillimisht Amerika ishte vetëm destinacion pushimesh, por një ditë ajo vendosi të niste një kapitull të ri.
“Kur erdha përfundimisht, kisha vetëm një valixhe të vogël në një vend shumë të madh.”



Fillimet nuk ishin aspak të lehta. Puna e parë ishte si babysitter, ndërsa paralelisht kërkonte çdo mundësi për të kënduar live.
“Që javën e dytë fillova të performoja në skenë. Ishte mënyra ime për të mos u shkëputur kurrë nga muzika.”
Sot, përveç karrierës artistike, Gerona ka ndërtuar edhe dy biznese të saj në Michigan: një coffee shop dhe një restorant fast food me gyros. Ajo tregon se i studioi me kujdes kërkesat e tregut dhe u mbështet shumë edhe te komuniteti shqiptar në Amerikë.

Megjithatë, pavarësisht suksesit në biznes, muzika mbetet prioriteti i saj.
“Muzika live është pjesa më e sinqertë e artit. Është një lidhje e drejtpërdrejtë me publikun dhe asnjë performancë playback nuk mund ta zëvendësojë.”
Gerona e përshkruan veten si një artiste që nuk ndjek role të krijuara apo imazhe perfekte.

“Jam emocionale, impulsive, por edhe realiste. Për mua është shumë më e rëndësishme të jem e sinqertë me publikun sesa të krijoj një figurë artificiale.”
Ndërkohë, shumë njerëz e njohin edhe nga bashkëpunimi muzikor me Bes Kallakun. Ajo zbulon se, ndonëse kënga u bë shumë e njohur, paradoksalisht ata nuk janë takuar asnjëherë personalisht.

Edhe pas tetë vitesh në SHBA, një pyetje vazhdon ta shoqërojë: a do të rikthehet një ditë në Shqipëri?
Përgjigjja mbetet e hapur. Por deri atëherë, Gerona Hyska vazhdon të ndërtojë ëndrrën e saj në Amerikë, duke balancuar muzikën, sipërmarrjen dhe lidhjen e fortë me rrënjët shqiptare.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!