Nga Kastrioti, te Shehi, Musta dhe Shkurtaj: Mehmeti zbërthehet në konferencë

schedule12:34 - 21 Janar, 2022

schedule 12:34 - 21 Janar, 2022

Dritan Mehmeti, trajneri i Partizanit, para ndeshjes me Kastriotin ka dalë para mediave dhe ka folur për shumë çështje, duke nisur nga triumfi i parë ndaj Egnatias e deri te emra të përveçëm të skuadrës që janë larguar, duan të largohen apo që nuk i morën në ekip gjatë merkatos së janari.

FITORJA ME EGNATIAN – “Është e vërtetë që nuk luajtëm mirë pjesën e parë me Egnatian. Çdo ndeshje ka historinë e saj. Skuadra kishte kohë e shkëputur nga një ndeshje dhe ndikon, plus që vinim nga një ngërç psikologjik.  Jemi munduar të vëmë pikat mbi ‘i’ pas asaj ndeshjeje. Edhe kur fiton duhen nxjerrë mësime, pasi nuk interpretuam siç duhet.

Gjithsesi skuadra tregoi forcë karakteri në pjesën e dytë dhe u fut në ritmin e duhur dhe në filozofinë që unë kërkoj dhe i shkon për shtat Partizanit Gjithmonë fitorja të jep bonus emocional grupit. Duhet të jemi me këmbë në tokë, pasi kemi bërë vetëm detyrën ndaj Egnatias. Skuadra është përgatitur me ritmin e duhur. E kemi vlerësuar skuadrën e Kastriotit, edhe ajo vjen nga një fitore e merituar me kampionen në fuqi, Nesër duhet të jemi serioze dhe konkretë, pasi çdo ndeshje ka rëndësinë e vet”.

KASTRIOTI – “I kemi marrë masat. Kastrioti ka ndryshuar jo vetëm stafin teknik, por edhe disa elemente. Këtë e tregon edhe fitorja me Teutën, pasi kanë ndryshuar filozofinë e lojës. Megjithatë ne jemi Partizani dhe kërkojmë fitoren. Kallaku titullar? Cilësitë e tij dihen, është integruar me grupin dhe mendoj se nesër do të jetë një pjesë kryesore e formacionit. Akoma nuk e kemi vendosur nëse do të luajë nga fillimi apo jo”.

MERKATO DHE INFERMIERIA – “Merkato e janarit nuk sjell shumë elemente, është e vështirë të godasësh dhe të gjesh atë që ti kërkon. Klubi ka punuar shumë dhe jemi gjithë kohën duke punuar për të gjetur një sulmues. Kjo është shumë e vërtetë.

Skuka ka pasur një problem muskulor prej ngarkesës së madhe fizike. Ai jep gjithmonë maksimumin, ndaj është dëmtuar. Është rikuperuar 80 % dhe do flas me stafin mjekësore për të vendosur përfundimisht nëse do jetë gati për nesër apo po jo”.

SHKURTAJ – “Unë do doja të kisha një sulmues, Shkurtaj apo dikush tjetër që të jetë pikë referimi. Nuk fokusohem shumë tek emrat, por te mënyra e lojës dhe filozofia që kam për ta parë Partizanin aty ku dua. Kemi folur për shumë lojtarë me stafin. Nuk dal në një konkluzion për emra të veçantë”.

SHEHI DHE MUSTA – “Dajan Shehi është pjesë e rëndësishme e Partizanit. Skuadra ka nevojë për shumë elementë, pasi konkurrenca rrit cilësinë. Megjithatë te Partizani duhet patjetër që çdo lojtar ta ndjejë fanellën. Pa dëshirën e lojtarit nuk mbajmë asnjë”

“Musta? Normalisht jam pjesë e Partizanit dhe mendoj se për pjesën e të shkuarës klubi ka bërë analizën e vet dhe kemi arritur në këto konkluzione. kanë qenë disa lojtarë që nuk kanë dhënë atë që pritej. Ky është një vendim i klubit. Për pjesën e së shkruarës nuk kam qenë pjesë e vendimeve”. / abcnews.al