“Nga institucionet te mbajtja e maskës në shtëpi”, Tomini: Çfarë ndodh nëse udhëton me një jo-familjar

schedule10:19 - 15 Korrik, 2020

schedule 10:19 - 15 Korrik, 2020

Përdorimi i maskave në ambiente të mbyllua tashmë është një detyrim.

Eugena Tomini shefe e Survejancës e Shërbimit të Inteligjencës Epidemike, sqaroi në “ABC-ja e mëngjesit”, se për të gjitha ambientet e mbyllura që nuk kanë hapësirë kjo masë do të jenë një element vendimtar për mbajtjen e maskave.

Të gjitha institucionet publike, administrative apo jopublike që operojnë me hapësira të ngushta apo nuk kane hapësirat e caktuara detyrimisht do të kenë mbajtjen e maskave, pavarësisht se do të kenë sipërfaqe të distancimit fizik.

Po ashtu gjatë intervistës gazetari Enkel Demi nuk la pa përmendur faktin se politikanët shqiptarë shpesh janë parë edhe pa maska.

Lexo edhe: Enkel Demi: Rama dhe Tërmet Peçi duhej të ishin gjobitur se nuk vendosën maskën

Konkretisht Enkel Demi u shpreh: Pardje administratori Tërmet Peçi kryetar Bashkie, bashkë me kryeministrin Edi Rama kanë qenë për drekë në një ambient të mbyllur, ka marrë shërbim nga një kamarier pa maskë dhe meqë është kryeministër nuk e gjobit njeri. Meqë është kryeministër nuk të infekton nuk prish asnjë punë.

Me vendimin e marrë së fundmi për mbajtjen e maskës me detyrim mbetet për tu parë se si do të reagohet ndaj rasteve të tilla.

Lexo edhe: Flet Tomini: Si bëhet gjurmimi i kontakteve të personave me Covid-19

“Një ambient i mbyllur, pavarësisht lehtësimit të një sipërfaqe të caktuar për distancimit fizik, maska do të jetë detyrim”, tha Tomini.

Pyetjes se gazetarit Enkel Demi se ambienti i mbyllur është edhe shtëpia dhe nëse duhet mbajtja e maskës, Tomini u sqaroi se kush duhet të mbajë maska në një rast të tillë.

“Pjesa  e ambientit të shtëpisë nuk hyn në pjesën legjislative, as të ligjeve të mëparshme. Vetë përgjegjësia për të mbajtur një ambient të pastër i takon gjithsecilit.  Në ambientin e shtëpisë duhet mbajtur maskë për personat që janë në vetëizolim që kanë shenja minimale, mesatare dhe që monitorohen nga struktura përgjegjëse. Dhe sigurisht një person që i shërben një personi që i shërben një personi që është në vetëizolim, për të  gjithë periudhën e vetëkarantimit”, tha Tomini.

Lexo edhe: Tomini sqaron vendimin për mbajtjen e maskave me detyrim

Pjesë nga intervista:

Ne jemi në një studio televizive dhe nuk po mbajmë maskë, ju jeni në zyrë dhe nuk po mbani maskë. Ne po shkelim ligjin të tre bashkë?

Tomini:  Në bazë të sipërfaqes që ju mbani në atë ambient ku ju po transmetoni dhe ku unë jam, duke përcaktuar distancën fizike që një ambient zotëron në një distancë 1 metër e gjysmë , sigurisht kur respektohet distanca maska duhet të lihet me një anë. Nëse kjo distancë nuk respektohet dhe lëvizni afër njëri-tjetrit , rrezikshmëria shtohet . Duke përcaktuar hapësirën lëvizëse kjo masë do të jetë e domosdoshme. Duke filluar nga sot, të gjitha institucionet do të fillojnë të mbajnë maskat duke përcaktuar edhe listën e të gjitha zyrave, institucioneve në bazë të disa parametrave që do të vendosen.

Po në makinë, kur ndodh të jesh vetëm?

Tomini: Nëse do të udhëtojmë vetëm me familjen tonë sigurisht nëse do të evidentohet mos mbajtja  e maskës duke mbajtur një person të huaj në makinë sigurisht që do të penalizohesh përkundrejt sanksioneve që janë duke u menduar përsa i përket mosmbajtjes së maskave në mënyrë korrekte kur nuk është rrethi i ngushtë familjar.

Si do të bëhet ky kontrolli?

Tomini: Qëllimi në vetvete nuk është vendosja e gjobës, por të minimizojmë transmetimin. Është me rëndësi që të gjithë të ndërgjegjësohemi nga pak. Sigurisht që ka moskorrektësi, por çdo administrator i çdo institucioni që mban përgjegjësi për menaxhimin e punës duhet të mbajë përgjegjësi edhe për mbajtjen  e maskës në mënyrë rigoroze.

 Vaksina:

Tomini: Realisht që një vaksinë të futet në treg dhe të jetë  e aplikueshme për popullatën e gjerë duhet t’i kalojë të gjitha fazat. Një ndër elementët është reagimi i organizmit përkundrejt një antigeni të huaj që në këtë rast është kundrejt COVID-19. Antikorpet të jenë të mjaftueshme për të pasur një jetëgjatësi përkundrejt mbrojtjes qoftë edhe kjo sezonale. Një element tjetër është siguria që jep kjo vaksinë, pra që të mos kemi efekte anësore. Nëse nuk do të kalohen të gjitha fazat e aplikimit të një vaksine sigurisht nuk do të mund të jetë  e miratueshme.

Nëse një vaksinë e tillë aprovohet ne kemi kapacitete prodhuese në vend?

Tomini: Ne kemi një kooperim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Ashtu si edhe për vaksinën e gripit ka qenë MSH, qeveria shqiptare që ka mbështetur marrjen e vaksinë. E njëjta situatë do të jetë edhe nëse kjo do të sundojë tregun përkundrejt COVID-19.

Gjithashtu ajo shtoi se vlerësimi i antikorpeve vlerësohet edhe në jetëgjatësi. /abcnews.al/