Historia e jashtëzakonshme e Beqir Potkës: arratisja drejt lirisë, suksesi në Amerikë dhe misioni për të ringritur shtëpinë e Faik Konicës. Nga një fshat i varfër i Korçës, ku fëmijëria iu shënua nga dhuna e regjimit komunist, deri në majat e biznesit ndërkombëtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është historia e sipërmarrësit Beqir Potka, njeriut që nuk u dorëzua kurrë përballë fatit dhe që sot kërkon të lërë një trashëgimi për kombin.
I ftuar në studion e ABC-së së Mëngjesit, Potka rrëfen për herë të parë udhëtimin e tij dramatik drejt lirisë, ngritjen e një perandorie në industrinë e tapetave dhe misionin e ri që ka marrë përsipër: rikthimin në jetë të shtëpisë ku lindi Faik Konica. Një nga momentet më domethënëse të jetës së tij lidhet me vitin 1995, kur komuniteti patriotik “Vatra” vendosi të sillte në Shqipëri eshtrat e rilindasit Faik Konica. Beqir Potka ishte një nga vetëm 17 shqiptarët që kontribuan financiarisht për realizimin e këtij amaneti historik.
Sot ai beson se misioni nuk ka përfunduar.
“Jam gati të kontribuoj bashkë me të gjithë ata që duan ta çojnë më përpara emrin e Faik Konicës. U bëj thirrje sipërmarrësve shqiptarë t’i bashkohen kësaj nisme, që shtëpia ku lindi ai të mos mbetet një rrënojë, por të kthehet në një muze dinjitoz. Ashtu si gjetëm eshtrat e tij dhe i sollëm në Shqipëri, do t’i gjejmë edhe paratë për ta ngritur këtë shtëpi në këmbë”, shprehet Potka.
Por përpara se të bëhej një biznesmen i njohur në Amerikë, jeta e tij kaloi nëpër sprova që duken si skenar filmi.
Ai kujton se terrori komunist hyri në familjen e tij që në fëmijëri, kur policia arrestoi babanë.
“Nuk do ta harroj kurrë atë ditë. Ndiqja makinën e policisë që po e merrte. Mbetëm tre fëmijë vetëm.”
Në fillim të të njëzetave, vendosi të arratisej. Megjithëse ishte nga Korça, zgjodhi të kalonte kufirin në Sarandë, duke hartuar një plan që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë.
“Arratisja zgjati tri ditë. Natën ecnim, ditën fshiheshim. Na mbaruan biskotat dhe ushqimet. Aq shumë na kishte marrë etja, sa lagnim buzët me urinën tonë për të mbijetuar. E kuptova që kisha hyrë në Greqi vetëm kur pashë asfaltin e rrugës. Ishte një rrugë e bukur.”
Megjithatë, çmimi i lirisë ishte i rëndë. Pas largimit të tij, familja u përball me hakmarrjen e regjimit. “Babain e rrahën, familjen ma futën në burg.” Edhe në Greqi, rruga nuk ishte e lehtë. Ai kujton ditët kur qëndroi i lidhur me zinxhirë para Ambasadës Shqiptare, ndërsa autoritetet nisën procesin e identifikimit dhe pajisjes me dokumente. Ndihma që priste nga të afërmit në Australi nuk erdhi kurrë, ndaj vendosi të ndërmarrë hapin më të madh: emigrimin drejt Shteteve të Bashkuara.
Në Amerikë mbërriti me një biletë të veçantë. “Ishte një biletë e paguar nga dikush tjetër, por mbi të shkruhej: ‘Një ditë do t’ju duhet ta ktheni këtë biletë’.”
Dhe ai e mbajti fjalën. Paratë e para që fitoi nuk i përdori për veten. “Gjëja e parë që bëra ishte të paguaja një biletë për dikë tjetër.” Nga një dyqan i vogël, Beqir Potka ndërtoi një biznes që sot operon në tregjet ndërkombëtare. Ai konsiderohet një nga emrat më të njohur shqiptarë në industrinë e tapetave, ndërsa bashkëpunon me vendet që, sipas tij, garantojnë cilësinë më të lartë.
“Për mua, Irani mbetet kampion për qilimat më cilësorë. Turqia është bërë shumë e fuqishme, edhe pse unë punoj më pak me të. Punoj vetëm me ato vende që më interesojnë.”
Një tjetër moment që nuk e harron është ribashkimi me familjen në vitin 1991, pas shumë vitesh ndarje. “Kur u takuam, më thanë: ‘Shyqyr që je gjallë. Ne të dinim të vdekur prej një viti’.” Historia e Beqir Potkës është rrëfimi i një shqiptari që sfidoi diktaturën, mbijetoi në arrati, ndërtoi një jetë të re në Amerikë dhe sot vazhdon të investojë jo vetëm në biznes, por edhe në kujtesën kombëtare./abcnews.al



