Negociatat e anëtarësimit, Brukseli jep dritën jeshile: Hapen në Qershor 2019

schedule19:09 - 26 Qershor, 2018

schedule 19:09 - 26 Qershor, 2018

Brukseli ka dhënë dritën jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Procesi do të nisë vitin e ardhshëm dhe gjithçka do të varet nga suksesi i reformave që do të ndërmarrë pala shqiptare. Në rekomandimin e tij, Këshilli i Europës bën thirrje për luftë kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta, si dhe për më shumë dialog politik mes mazhorancës dhe opozitës.

Brukseli ka njohur progresin e Shqipërisë në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe, duke bërë që Këshilli i Europës t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës për hapjen e negociatave të anëtarësimit në qershor të vitit 2019. Por në deklaratën zyrtare, Këshilli nënvizon “nevojën kritike” që Shqipëria të konsolidojë më tej reformat e nisura, sidomos atë në drejtësi; si dhe të arrijë rezultate serioze në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Konkretisht, KE bën thirrje për: avancimin e procesit të vettingut, për të finalizuar sa më parë ngritjen e institucioneve të pavarura gjyqësore; krijimin pa vonesa të strukturave të specializuara si SPAK, BKH dhe Gjykata e Posaçme; të përforcohet ndjekja e hetimeve, procedimi penal dhe dënimi i personave përgjegjës në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta. Sa i takon kriminalitetit, Këshilli inkurajon Shqipërinë që të thellojë përpjekjet për reduktimin e kultivimit të kanabisit, për të çimentuar rezultatet e para domethënëse të arritura sipas tij në muajt e fundit. Në aspektin politik, Brukseli vë në dukje nevojën jetike për një dialog të vazhdueshëm dhe konstruktiv mes mazhorancës dhe opozitës për reformat e lidhura me integrimin. Ndërkohë, kur po afrojnë zgjedhjet e ardhshme vendore, Këshilli e vë theksin tek nevoja që Shqipëria të zbatojë rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it. Sa i takon ekonomisë, qeverisë i kërkohet të avancojë reformat për nxitjen e konkurrencës së ndershme, frenimin e ekonomisë informale dhe përmirësimin e klimës për investime. KE ka kërkuar gjithashtu që Shqipëria të adresojë me hapa intensivë çështjen e menaxhimit të mbetjeve. Mes të tjerash, Brukseli i njeh Shqipërisë meritat në ndjekjen e linjave të BE-së në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë, përpjekjet e saj për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin, marrëdhëniet e mira me fqinjët për zgjidhjen e problemeve dypalëshe dhe masat e marra për frenimin e azilkërkuesve. Në këto rrethana, vijon më tej deklarata, hapja konkrete e negociatave të anëtarësimit do të varet nga raportimi i Komisionit Europian mbi përmbushjen e parakushteve nga Shqipëria.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!