Gjykata e Posaçme ka rrëzuar një tjetër kërkesë të ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu për përjashtimin e Gjyqtares Irena Gjoka nga procesi për tragjedinë e Gërdecit.
Gjyqtarja e Posaçme Atalanta Zeqiraj pasi mori në shqyrtim kërkesën e Fatmir Mediut, e cilësoi si të pabazuar në ligj përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
Ndërkohë në seancën e të martës për dosjen “Gërdeci”, ku ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzohet për shpërdorim detyre, mbrojtja ka vijuar me kundërshtimin e gjetjeve të Prokurorisë së Posaçme.
Përballë gjyqtares Irena Gjoka dhe prokurorit Arben Kraja, avokati i mbrojtjes Henrik Ligori relatoi mbi disa parashtrime të prokurorisë duke argumentuar se Ministri i Mbrojtjes përgjigjet për politikat e ministrisë dhe jo për çështje teknike.
Procesi për masakrën e Gërdecit ka nisur në prill 2023. Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi, sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të përpunimit të municioneve.
Çështja ndaj Mediut u rihap pas kërkesës së familjes Durda e cila humbi djalin e familjes mes 26 viktimave të tragjedisë në Gërdec më 15 mars 2008.


