Në kufirin mes jetës dhe vdekjes/ Varrmihësi 70 vjeçar nga Lushnja që përcjell të ndjerët në botën tjetër

schedule15:43 - 2 Dhjetor, 2023

schedule 15:43 - 2 Dhjetor, 2023

Beshir Marku sot është 70 vjeç, por 30 vite të jetës i ka kaluar duke hapur varre.  Në varrezat e Lushnjes e njohin të gjithë pasi ai di se ku prehet çdo i ndjerë aty. Sot është në pension dhe na fton në vendin ku kalon pjesën më të madhe të kohës, në lokalin e lagjes.

Varrmihësi më i famshëm i Lushnjes tregon se zanatin ia vodhi babait, dhe të njejtën gjë bëri edhe djali i tij 35 vjeçar me të.

Na çon tek varrezat e Lushnjes për ta bërë sa më të prekshme eksperiencën e tij të punës. Viti i mbrapsht i ’97 i sjell në kujtime momentet e tij më të vështira.

12 vite më parë ka një skenë që i ka mbetur në mendje. I duket e pabesueshme se si një familje po varroste në fshehtësi një foshnje që kishte lindur e vdekur në maternitet. E mban mend edhe vendin ku ka ndodhur ngjarja.

Thuajse çdo ditë të punës është përballur me një skenë të pabesueshme. Njerëz të dehur vijnë në varreza dhe bien pa ndjenja nëpër varret e të dashurve të tyre.