Lushnjë – Mësuesi 60-vjeçar, Madrid Sula, nga fshati Thanasaj i Lushnjës, ka mbërritur në gjykatë, ku pritet të zhvillohet seanca për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Sula u arrestua pas denoncimit të prindërve të një nxënëseje 13-vjeçare, të cilët i janë drejtuar policisë pas mesazheve me përmbajtje erotike që, sipas denoncimit, mësuesi i kishte dërguar vajzës.
Sipas të dhënave të hetimit, 13-vjeçarja u ka treguar fillimisht prindërve për mesazhet, ndërsa këta të fundit ia kanë vënë ato në dispozicion policisë. Pas verifikimeve, policia ka proceduar me arrestimin e mësuesit.
Seanca do të drejtohet nga gjyqtari Noel Veizi, i cili do të vlerësojë ligjshmërinë e arrestimit dhe do të vendosë për masën e sigurisë.
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Skerdi Sinanaj, mësohet se ka paraqitur provat e administruara gjatë hetimit dhe pritet të kërkojë masën e sigurisë “Arrest në burg” për 60-vjeçarin. Hetimet për rastin vijojnë.


