“Ne duhet të përgatitemi për më të keqen nga Putin”

schedule12:38 - 23 Maj, 2022

schedule 12:38 - 23 Maj, 2022

The New York Times

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Ministri i Jashtëm i Rusisë dhe ambasadori i saj në Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të çojë në përdorimin e armëve bërthamore. Kjo për faktin se Rusia po përgatitet të vendosë në dispozicion armët e saj, duke paralajmëruar për një rrezik “serioz” të përshkallëzimit të një luftë bërthamore.

Vetë Vladimir Putin ka vënë në dukje se ai ka armë që kundërshtarët e tij nuk i kanë dhe se ai do t’i “përdorë ato, nëse është e nevojshme”. Edhe shefi i CIA-s William Burns, ka paralajmëruar për mundësinë që Putin mund të përdorë një armë bërthamore taktike, por ende nuk dihet se kur.

Megjithatë, ne duhet të jemi të përgatitur; Ish-sekretari i shtetit Henry Kissinger ka argumentuar se duhet të marrim parasysh kërcënimin.  Duhet të imagjinojmë të paimagjinueshmen, konkretisht si do t’i përgjigjeshim ushtarakisht dhe ekonomikisht një ndryshimi të tillë sizmik në terrenin gjeopolitik global.

Në vitin 2012, vura në dukje se Rusia ishte kundërshtari më i madh gjeopolitik i Shteteve të Bashkuara dhe qartësisht mbetet një burim shqetësimi i madh si për republikanët ashtu edhe për demokratët.

Duke pasur parasysh madhësinë e pasojave të një sulmi bërthamor, duhet të mendojmë opsionet tona të mundshme, si nga udhëheqësit tanë ashtu edhe nga qytetarët amerikanë. Duke pushtuar Ukrainën, Putin tashmë ka dëshmuar se është i aftë për vendime të palogjikshme dhe vetëshkatërruese, raporton abcnews.al.

Nëse ai humbet në Ukrainë, ai jo vetëm që do të ketë dështuar të përmbushë ambicien e tij të jetës për të kthyer atë që ai e sheh si “katastrofën më të madhe gjeopolitike” të shekullit të 20-të – shembjen e Bashkimit Sovjetik  por gjithashtu do të ketë dobësuar  Rusinë dhe ringjallur kundërshtarët e saj.

Ekziston mundësia që Putin mund të përballet me sfida të rëndësishme të brendshme për udhëheqjen e tij.

Në rrethana të tilla, ai mund të jetë në gjendje të bindë veten se Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi janë arsyeja që ai pushtoi Ukrainën dhe se propaganda që ai ka përdorur për të justifikuar këtë pushtim imoral ishte e vërtetë që në fillim.

Disa do të arrijnë në përfundimin se për të shmangur provokimin e Rusisë  dhe kështu për të shmangur perspektivën e një sulmi të mundshëm bërthamor rus,  ne duhet të frenojmë paraprakisht Ukrainën që të shkatërrojë ushtrinë ruse.

Ne mund të kufizojmë armët që dërgojmë, të frenojmë inteligjencën dhe t’i bëjmë presion Presidentit Volodymyr Zelensky që të marrë një vendim por nuk jam dakord sepse kombet e lira duhet të vazhdojnë të mbështesin dhe të pajisin me armë ukrainasit, raporton abcnews.al.

Nëse Putin, ose ndonjë fuqi tjetër bërthamore, mund të pushtojë dhe të nënshtrojë vendin pothuajse pa u ndëshkuar, atëherë Ukraina do të ishte vendi i parë në listën e pushtimeve të tilla. Në mënyrë të pashmangshme, miqtë dhe aleatët tanë do të gllabëroheshin nga fuqitë autoritare bërthamore, pasojat e të cilave do të ndryshonin në mënyrë drastike rendin botëror.

Përgjigja e duhur është të vazhdojmë t’i japim Ukrainës të gjithë mbështetjen që i nevojitet për të mbrojtur vendin e saj dhe për të fituar. Sukseset e saj ushtarake mund ta detyrojnë Putin të tërhiqet nga Ukraina ose të pranojë armëpushimin.

Ndoshta kontrolli i tij mbi mediat ruse do t’i mundësonte atij të kthente humbjen në një narrativë që do ta nxirrte të pastër përpara popullit rus. Këto janë rezultatet që ai do të preferonte të përmbushte.

Por nëse një Putin në qoshe dhe deluzionues do të përdorte në vend të kësaj armët bërthamore – qoftë nëpërmjet një sulmi taktik ose duke armatosur një nga termocentralet bërthamore të Ukrainës do të kishim një gamë të gjerë opsionesh.

Për shembull, NATO mund të ndërhyjë në Ukrainë, duke zhdukur  ushtrinë ruse. Më tej, ne mund të përballemi me Kinën dhe çdo komb tjetër me një zgjedhje të ngjashme me atë që George W. Bush i dha botës pas 11 shtatorit: ose jeni me ne, ose  me Rusinë pasi nuk mund të jeni me të dyja.

Përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia do të ishte pa dyshim një ngjarje gjeopolitike ripërcaktuese, riorientuese. Çdo komb që do të zgjidhte të ruante lidhjet me Rusinë pas një situatë tillë do të shndërrohej gjithashtu në një pari globale.

Një pjesë ose e gjithë ekonomia e saj do të shkëputej nga ajo e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë. Sot, Perëndimi përfaqëson mbi gjysmën e prodhimit të brendshëm global. Shkëputja e çdo kombi nga ekonomitë tona të kombinuara mund ta shkatërrojë atë.

Ndikimi në ekonomitë perëndimore mund të jetë i rëndësishëm, por ndikimi në ekonomitë e Rusisë dhe bashkëudhëtarët e saj do të ishte shumë më i keq. Në fund të fundit mund të jetë Armagedoni ekonomik, por  është shumë më i preferuar se Armagedoni bërthamor.

Së bashku me aleatët tanë kryesorë të NATO-s, ne duhet të zhvillojmë dhe vlerësojmë një gamë të gjerë opsionesh. Unë supozoj se presidenti dhe administrata janë të angazhuar tashmë në një proces të tillë.

Përgjigjet e mundshme ndaj një akti kaq të urryer dhe çorientues gjeopolitikisht si një sulm bërthamor duhet të projektohen në mënyrë optimale dhe të kenë mbështetjen e aleatëve tanë të NATO-s.

Putin dhe aleatët e tij nuk duhet të kenë asnjë dyshim se përgjigja jonë ndaj një konflikti të tillë do të ishte shkatërrues.

Romney është një senator nga Utah dhe ishte kandidati republikan për president në vitin 2012.

/abcnews.al