Kryeministri Edi Rama ka prezantuar detaje të reja nga projekti “Smart City”, i cili përmes Inteligjencës Artificiale dhe një sistemi të integruar monitorimi synon të parandalojë rreziqet përpara se ato të shndërrohen në pasoja.
Sipas kreut të qeverisë, teknologjia e re do të eliminojë kontrollet fizike të automjeteve në rrugë dhe do të monitorojë në mënyrë sistemike raportin etik polici-qytetar përmes kamerave të trupit të lidhura me qendrën.
Rama theksoi se ky sistem do të rrisë sigurinë rreth shkollave dhe do të ndihmojë prindërit në mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e algoritmeve digjitale në celularë. Synimi i qeverisë është që brenda 12 muajve të ardhshëm e gjithë Shqipëria të jetë nën monitorim të drejtpërdrejtë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
“Procesi i ndalimit të automjeteve në rrugë për kontrolle, që më pas shoqërohen edhe me përplasje mes policit dhe drejtuesit të automjetit, nuk ndodh më. Sistemi informon qendrën. Pra kjo e kombinuar edhe me një element tjetër që tani po punohet për t’u plotësuar, që kamerat e trupit do të jenë të lidhur me qendrën. Do të jetë e pamundur që të bëhen lodra. Do bëjnë që raporti etik mes një polici dhe një qytetari do të monitorohet në mënyrë sistemike.
Niveli i parandalimit do të rritet dhe do të ulet rreziku në mënyrë eksponenciale. Kemi pasur një vëmendje të shtuar edhe falë angazhimit të punonjësve të sigurisë në shkolla, drejtuesve të shkollave dhe të prindërve, sepse vëmendja e prindërve është gjithmonë e shtuar, ka qenë një punë e stërmundueshme. Për fat të mirë kemi pasur vetëm një ngjarje tjetër që ka ndodhur, edhe ajo jashtë oborrit të shkollës. Për më tepër sot kur jemi në kohën e armikut të fëmijëve të rrugaçit më të rrezikshëm të lagjes, që është algoritmi në xhepat e fëmijëve dhe të rriturve.
Ky sistem do të na japë krahë, edhe në komunikimin me prindërit, për t’i mbajtur prindërit e informuar dhe për të marrë prej tyre kërkesa dhe këshilla për ta rritur vigjilencën e sistemit. Shpresojmë që në 12 muajt e ardhshëm e gjithë Shqipëria të jetë live në monitorimin e rendit dhe të sigurisë publike. Do të punojmë për të ndërthurur atë që ishte dikur komisariati digjital me sistemin”, tha kryeministri Rama.



