Ndreu: Flasim kot, lojtarët nuk dëgjojnë. Rezi? Edhe unë do e shënoja gol

schedule15:27 - 10 Prill, 2021

schedule 15:27 - 10 Prill, 2021

Ramazan Ndreu sigurisht që është shumë i zhgënjyer me atë që i ndodhi Kastriotit të tij kundër Kukësit. Edhe pse kishin mundësi të shënonin të parët, krutanët u mundën më rezultatin 0-3 dhe trajneri Ndreu në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport tha:

Sot ishte një ndeshje e interpretuar shumë keq nga ana jonë. I kisha porositur lojtarët për ndeshjen e sotme, por ata nuk e kuptuan. Ishin të nevrikosur, pasi kujtonin se do fitonin lehtë. Iu bërtita shumë herë që kemi përballë një ekip me shumë nivel.

Nuk krahasohemi me Kukësin, si ekip dhe si klub, do ishim të kënaqur edhe me një pikë. Ishte një ndeshje shumë e keqe e jona. Kam qenë i kujdesshëm gjatë gjithë javës, duke ia theksuar lojtarëve që kemi përpara një ekip me shumë nivel.

Presioni për fitore? Ne po e përsërisim një gabim, gabojmë në ndeshjet ndaj skuadrave për të cilat mendojmë se janë më dobët se ne. Unë e kam ndjerë frikën, Kukësi rrezikonte shumë nëse do të humbiste.

Lojtarët nuk i marrin seriozisht fjalët që themi ne, nuk e kuptojnë ku e kanë nivelin. Jemi një ekip i ri që duhet të luajë thjeshtë. Në pjesën e dytë dolëm jashtë detyrave. U bëmë konfuzë. Sigurisht që kemi edhe mungesa, Da Silva ndikon, por humbëm pasi e morëm ndeshjen lehtë.

Ne jemi skuadra më e lehtë. Pse i fituam dy ndeshjet e para ndaj Kukësit? U futëm në fushë me idenë që Kukësi është më i fortë se ne, luajtëm thjeshtë, ishim të kënaqur edhe me një pikë, por fituam.

Rasti i Rezit? Ti je më i ri se unë (i drejtohet gazetarit Stefa), mund ta kisha shënuar edhe unë, por një rast është ai. Da Silva? Javën që vjen është në fushë, 100%. Jemi një skuadër që duhet të sigurojë mbijetesën, jemi një skuadër me pak lojtarë. Do jemi në garë deri në fund për mbijetesën, këta lojtarë kemi“, deklaroi trajneri i ekipit krutan. /abcnews.al