Është arrestuar personi i dyshuar si shkaktari i zjarrit masiv që përfshiu një magazinë në Shkozet, pasditen e enjtes.
Një ditë pas zjarrit, dëmet në objekt janë të dukshme.
Flakët kanë lënë pas një godinë thuajse tërësisht të shkrumbuar.
Policia ka arrestuar 38-vjeçarin Admir Ndoi, banues në Durrës, i cili dyshohet se është autori i zjarrit. Sipas hetimeve paraprake, ai kishte ndezur zjarr për djegien e disa barishteve pranë magazinës, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit duke u përhapur me shpejtësi drejt objektit.
Nga zjarri u përfshi e gjithë godina, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Në këtë magazinë ushtronin aktivitet tre biznese të ndryshme: një subjekt për prodhimin e oxhaqeve, një magazinë me pajisje elektro-shtëpiake, si dhe një biznes që tregtonte lëndë piroteknike.
Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 14, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore.