Sondazh

Mendoni se po zbatohet si duhet vendimi i Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së paraburgimit?

Loading ... Loading ...
 

Ndërtimi që çoi policët në pranga/ Burime: Prona ku po ndërtohej në bregdet e Isuf Jaçajt, i vrarë në tetor 2025

schedule12:22 - 16 Maj, 2026

schedule 12:22 - 16 Maj, 2026

Operacion i zhvilluar në Sarandë zbuloi detaje të reja mbi një çështje që lidhet me një pronë ku disa ditë më parë u arrestuan 8 persona për ndërtim të paligjshëm.

Sipas burimeve nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, prona ku po kryhej ndërtimi dyshohet se ka qenë e regjistruar në emër të Isuf Jacajt, i cili u vra në tetor 2025 pas një atentati me eksploziv të vendosur në automjetin e tij.

Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se disa zyrtarë policie mund të kenë favorizuar grupe të ndryshme kriminale që veprojnë në zonë, duke ndikuar në mënyrën e trajtimit të çështjeve të pronësisë dhe aktivitetit të paligjshëm. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur rolin e mundshëm të çdo zyrtari të përfshirë.



Kujtojmë se operacioni i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar drejtuesit e policisë në komisariatin e Sarandës.

Shefi i Komisariatit, 2 nënkomisarë dhe një inspektor janë ndaluar në kuadër të hetimeve për përfshirje në abuzimet me ndërtimet pa leje në zonat e lakmuara bregdetare të Sarandës dhe Ksamilit.

Të arrestuar janë; Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë; Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve; Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin; Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.

Sipas policisë, Ndaj këtyre punonjësve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, vepra këto të kryera në bashkëpunim, jo vetëm për këtë rast.

Hetimet lidhen me dyshimet për përfshirje, favorizim apo tolerim të ndërtimeve pa leje në zonat më të lakmuara turistike të jugut, kryesisht në Sarandë dhe Ksamil.

Sipas të dhënave hetimore, personat nën hetim dyshohet se kanë krijuar skema me qëllim përfitimi të paligjshëm, shmangie të përgjegjësisë ligjore dhe favorizim të subjekteve të lidhura me struktura kriminale që operonin në territorin e Sarandës.

Ky operacion i Agjencisë së Mbikqyrjes policore  erdhi një dite pasi  Policia e Sarandës arrestoi 8 persona duke kryer ndërtim pa leje pranë bregdetit ne lagjen 1 te qytetit, ndërsa në kërkim u shpall edhe pronarja e truallit ku po zhvilloheshin punimet.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra dhe Shefin e Seksionit për Hetimin e Krimeve në  Komisariatin e  Sarandës, Komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për tu marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!