NATO shqetësohet për Sirinë, por edhe Turqinë

schedule14:19 - 25 Tetor, 2019

schedule 14:19 - 25 Tetor, 2019

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg u shpreh se nuk do të ketë një mision të aleancës në veri të Sirisë. Pas një mbledhjeje të gjatë dhe të tensionuar u arrit në përfundimin se situata duhet të zgjidhet në mënyrë politike dhe diplomatike.

Ka qenë një mbledhje e tensionuar, ajo e NATO-s të enjten në Bruksel, e para që nga nisja e ofensivës ushtarake turke në Siri. Shumë mosmarrëveshje, deklaroi në përfundim të samitit Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg, por një diskutim i sinqertë dhe i hapur. E vetmja siguri është se Aleanca Atlantike nuk dëshiron të humbasë një aleat strategjik si Ankaraja duke e poshtëruar me akuza.

Stoltenberg u shpreh se nuk ishte kërkuar një mision NATO në verilindje të Sirisë. Ai u shpreh i bindur se ajo që duhet tani është një përpjekje për të mbështetur procesin politik, për të gjetur një zgjidhje politike afatgjatë. NATO në këtë pikë i jep mbështetjen e plotë Kombeve të Bashkuara.

Për Gjermaninë një zgjidhje do të ishte krijimi i një zone sigurie ndërkombëtare në veri të Sirisë, si ritheksoi dhe njëherë më shumë ministrja gjermane e mbrojtjes. Një projekt ky që përplaset me marrëveshjen e arritur nga Erdogan dhe Putin.

Ministri i Jashtëm belg u shpreh se parimisht nuk është kundër idesë së një zone të sigurtë ndërkombëtare. Por ai shtoi se si pasojë e marrëveshjes mes Rusisë dhe Turqisë, situata në terren ka ndryshuar. Ai theksoi se do të analizohen informacione më konkrete për situatën para se të vendoset nëse një iniciativë si kjo mund të vihet në praktikë.

Ministri italian i Mbrojtjes deklaroi se NATO është e shqetësuar, deri në momentin që vetëm politika dhe diplomacia mund të zgjidhë një çështje me pasoja të rënda nga këndvështrimi njerëzor./ABC News Albania