Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Turqia ngrin pasurinë e ish-ministres të partisë së Erdoganit

schedule18:55 - 1 Tetor, 2026

schedule 18:55 - 1 Tetor, 2026

Autoritetet turke kanë kërkuar ngrirjen e pasurisë së ish-ministres Fatma Betul Sayan Kaya dhe bashkëshortit të saj, Ilyas Kaya, për shkak të dyshimeve për tregti të brendshme dhe manipulim të tregut të aksioneve.

Prokuroria e Stambollit ka dërguar kërkesë te institucionet përkatëse për vendosjen e masës së ngrirjes së pasurisë ndaj çiftit.

Kaya, e cila është mjeke dhe inxhiniere elektrike, ka shërbyer si ministre për Familjen dhe Politikat Sociale nga viti 2016 deri më 2018. Më pas, ajo u rikthye në strukturat drejtuese të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), ku ishte përgjegjëse për politikat sociale.



Hetimi më i gjerë lidhet me dyshimet për manipulim të tregut dhe transaksione të parregullta në lidhje me fondet e investimeve. Autoritetet turke kanë urdhëruar likuidimin e 131 fondeve të investimeve, me vlerë të tregut prej më shumë se 19 miliardë dollarësh, raporton cumhuriyet.

Sipas hetimit, Kaya dhe bashkëshorti i saj kishin investuar së bashku rreth 163.1 milionë lira turke, ose rreth 3.3 milionë dollarë, në aksionet e kompanisë Ozata Denizcilik. Më pas, nga shitja e aksioneve, ata dyshohet se përfituan rreth 2.2 miliardë lira, apo 44.9 milionë dollarë.

Në kuadër të hetimit janë arrestuar 56 persona, përfshirë drejtues të disa kompanive të investimeve. Autoritetet më herët kishin ngrirë pasurinë e 42 personave, 45 kompanive dhe 19 fondeve të investimeve.

Pas nisjes së hetimeve, Kaya dha dorëheqje nga funksionet e saj në parti.

Rasti po hetohet nga autoritetet turke, ndërsa presidenti Recep Tayyip Erdogan ka kërkuar gjithashtu shqyrtimin e transaksioneve të fundit të fondeve të investimeve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!