“Natën s’fle dot”, historia e shqiptarit që mban në ndërgjegje vdekjen e 5 të rinjve pa pasur asnjë faj

schedule11:13 - 25 Janar, 2022

schedule 11:13 - 25 Janar, 2022

“Makina tjetër ishte si vetëtimë, po lëvizte me të paktën 150 kilometra në orë”. Kështu është shprehur Vangjel Tuslluku, 58 vjeç, shqiptari, i cili mbrëmjen e së dielës është përfshirë në një aksident të rëndë.

Shoferi i autobusit u përplas me një “Volkswagen Polo” ku ndodheshin 5 të rinj. Vetë ai mundi t’i shpëtojë përplasjes së fortë, por 5 të tjerë u shuan. Imad dhe Nadiq Salah, Imad El Harra, Dennis Guerra dhe Irene Sala, më e vogla vetëm 17 vjeç mbetën të pajetë në vendin e ngjarjes.

Shoferi shqiptar i autobusit, duke folur për mediat italiane tha se fillimisht mendoi se ishte motor, por më pas çdo gjë doli jashtë kontrollit.

“Ishte një përplasje shumë e fuqishme. Pashë një dritë në korsinë time. Fillimisht mendova se ishte motor. Në një moment pashë makinën përpara dhe dëgjova një zhurmë të fuqishme. Më goditi dhe menjëherë u thye xhami. Nuk mund të shihja asgjë. Në këtë moment kalova në korsinë tjetër, humba kontrollin. Autobusi nuk kishte më frena dhe timoni ishte shumë i fortë. Mjeti ndaloi pas disa sekondash, ndërsa unë vazhdoja të dëgjoja një zhurmë të tmerrshme. Isha i bindur se po godisja edhe mjete të tjera”, ka treguar ai.

Asnjë nga të rinjtë nuk kishte pasur patentë, madje as shoferi. Ata kishin kaluar pasditen sëbashku dhe i ishin drejtuar qytetit nga Valsabbia kur ndodhi aksidenti.

58-vjeçari po kthehej nga liqeni Garda dhe sapo kishte mbaruar turnin e punës. Tuslluku banon në Itali prej më shumë se 30 vitesh. Së bashku me gruan dhe vajzën 11-vjeçare ai jeton në Castenedolo. Megjithatë ky aksident ka lënë pasoja të rënda tek ai.

 “Ndjej dhimbje. Mezi arrij të fle dhe vijon të më kujtohet aksidenti. Nuk e di se kur do të kthehem të drejtoj makinë sërish. Nuk kam përjetuar kurrë një situatë të tillë. 5 të rinj u shuan. Nuk kam asnjë faj, por gjithçka peshon në ndërgjegjen time.” /abcnews.al/