Muhamet Rrumbullaku emërohet drejtori i ri i SHÇBA-së

schedule12:27 - 21 Janar, 2019

schedule 12:27 - 21 Janar, 2019

Muhamet Rrumbullaku është emëruar nga Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në krye të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pas largimit të Anila Trimit. ABC News ka mësuar se ministri Lleshaj pritet të bëjë edhe 6 lëvizje të tjera në postet drejtuese të policisë.

 Pas marrjes së detyrës së ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj zyrtarizoi lëvizjen e dytë në postet drejtuese në radhët e uniformave blu. Të hënën Muhamet Rrumbullaku u emërua drejtues i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Në njoftimin e Ministrisë së Brendshme thuhet se Rrumbullaku zë vendin e Anila Trimit që u emërua nga Fatmir Xhafaj kur ishte në postin e ministrit të Brendshëm. Por në njoftim nuk saktësohet nësë Trimi do të jetë më ne radhët e policisë apo është ne reformë, pasi nuk përcaktohet detyra që ish-drejtuesja e lartë do të ushtrojë në të ardhmen. Muhamet Rrumbullaku ka qenë zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Rendin dhe Sigurinë Publike në periudhën 2009-2013.

Pak ditë më parë, në krye të drejtorisë së Departamentit të Policisë Kriminale u emërua Tonin Vocaj. Ai është i dyti ish-drejtues policie që rikthehet në detyrë më udhër të Lleshajt, teksa ishte larguar në vitin 2013 nga postet drejtuese. Vocaj zëvendësoi Eduart Merkajn, i njohur në rrethin e ngushtë të kupolës së Policisë së Shtetit si “besniku personal” i Xhafajt.

ABC News ka mësuar disa emra të tjerë që i janë propozuar ministrit Lleshaj nga këshilltarët e tij për t’u riemëruar në postet drejtuese në strukturat e Policisë së Shtetit. Kështu emri i parë është Edmond Rizaj, ish-drejtues para 2013-s dhe aktualisht specialist në Akademinë e Rendit. Një tjetër emër është Ylli Doda, i pezulluar nga komisariati nr.2., në Tiranë për “ndërtim pa leje”.

Po ashtu Doda është propozuar si Shefi i Operacionales në Drejtorinë e Përgjithshme. Edhe emri i Arjan Muçës, po lakohet si drejtor i Policisë Vendore në qytetin e Elbasanit. Muça, ka qenë shefi i Operacionales në kohën kur u vranë katër efektive policie në Durrës nga Dritan Dajti, në Gusht të 2009-s. Janë  propozuar për poste drejtuese edhe Ilia Nasi e Hamdi Fiore, të cilët janë shkëputur nga kupola e policisë që nga Shtatori 2013-s./abcnews.al