“M’u duk si armë”, misteri i pistoletës që u gjet pas vrasjes së Rashës! Pse kontrolli u bë nga policia

schedule22:25 - 15 Dhjetor, 2020

schedule 22:25 - 15 Dhjetor, 2020

Emisioni VETTING në ABC nga gazetarët Luli Progni dhe Xhevahir Zhabina zbardh materialin e prokurorisë për pistoletën që u gjet në orën e para të mëngjesit të 8 Dhjetorit pak metra larg vendit ku u vra Klodian Rasha nga efektivi i policisë.

Në materialin e prokurorisë evidentohen se në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie bashkë me drejtues policie. Në atë kohë, shefi i policeve ka urdhëruar kater efektivë të tjerë me motor që të kontrollonin për të gjetur sende të kundraligjshëm dhe njëri prej tyre ka gjetur pistoletën në një gropë me ujë. Këtë veprim do të duhej ta bënte grupi hetimor. Ndërkohë që gjetja e pistoletës në ujë e bën gati të pamundur identifikimin e shenjave të gishtërinjve të përdoruesit të saj.

Gjetja e pistoletës afër vendit ku u vra viktima përmendet edhe në njoftimin e SHÇBA: “Nga grupi hetimor, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, e gjetur në një nga rrugicat ku ka kaluar viktima gjatë ndjekjes nga punonjësit e Policisë”. Në të vërtetë zona është këqyrur, ose krehur siç thuhet në gjuhën e policisë, nga katër policë që ishin urdhëruar nga shefi i policisë.

Në dosjen e prokurorisë theksohet se në momentin e vrasjes, shtetasi Klodian Rasha nuk ka pasur në dorë një armë. Nga të dhënat deri tani rezulton se në afërsi të vendit të ngjarjes, në rrugën ku ka lëvizur shtetasi Klodian Rasha, është gjetur një armë zjarri e tipit pistoletë por deri tani nuk është konkluduar nëse shtetasi Klodian Rasha, në momentet gjatë ndjekjes të ketë qenë në posedim të kësaj arme.

Në dëshminë e tij, Nevaldo thekson se në rrugën para dyqanit “Pit Stop” Unë i kam dalë 20-25 metra larg nga mbrapa…duke i bërë thirrje: ndal policia. Në këtë moment personi më është kthyer dhe më ka drejtuar sendin e dyshimtë që kishte në dorë. Në atë moment jam rrëzuar në tokë dhe ashtu sic isha kam bërë një qitje në drejtim të këmbëve të personit duke pasur frikë se mos më qëllonte”.

Kjo dëshmi nuk e ndihmon policin për të bërë lidhjen e viktimës me armën. Arma është gjetur në segmentin rrugor para se të mbërrijë viktima tek dyqani “pit stop” pak çaste para se të qëllohej nga polici Nevaldo Hajdaraj.

Në dosjen e prokurorisë sqarohet se arma e zjarrit është gjetur në rrugën “at Zef Valentini” në një distancë prej 30 metrash nga dalja në drejtim nga rruga  “Dritan Hoxha” dhe 16 metra nga ish-godina e Drejtorisë së Doganave, në cep të një trotuari të vogël, ngjitur me bordurën, në kushtet e errësirës, brenda një pellgu uji./mv.abcnews.al