Entuziazmi ishte tipik amerikanolatin në stadiumin e Majemit. Uruguaji doli në fushë i mbështetur nga dhjetëra mijë tifozë të zjarrtë, por gjithsesi, ishte Kepi I Gjelbër që fitoi zemrat e njerëzve.
Debutuesit e Kupës së Botës, me personazhin më të famshëm në turne, portierin Vozinja, morën një barazim të merituar 2-2 në prani të 64 000 spektatorëve.
Pasi ndaluan ish-kampionen e botës, Spanjës, ia dolën me dy herë kampionët. Patën guximin të kalonin të parët në epërsi me golin shumë të bukur nga Pina në 21’, dhe të përballonin përmbysjen e rezultatit nga uruguajanët.
Arauho e Kanobio goditën në fund të pjesës së parë, në 44’ dhe nëë minutën e gjashtë shtesë.
Sapo kishte kaluar një orë lojë, barazoi me anë të Varelës. Po flasim për kombëtaren e një vendi që deri në 1974 ishte koloni e Portugalisë, dhe deri në 1982 nuk ishte aspak në FIFA.
Të një vendi me më pak se 500 000 banorë, dhe vetëm me 4 000 km2 sipërfaqe. Gjithsesi, Kepi i Gjelbër është në të njëjtin pozicion me Shqipërinë në renditjen e FIFA-s, si dhe ka qenë dy herë në çerekfinalet e Kupës së Kombeve të Arikës, herën e fundit tre vjet më parë.
Uruguaj natyrisht që bëri më shumë, me 65 për qind mbajtje topi, por afrikanët u përgjigjën në gjithçka, madje patën më shumë gjuajtje në kuadrat 4-2.
Amerikanolatinët gjetën portën vetëm kur shënuan. Tashmë shanset janë të mira për kualifikim, pasi ndeshja e tretë duket më e lehta, ajo ndaj Arabisë Saudite. Ku i dihet, mrekullia Kepi I Gjelbër mund të vazhdojë në këtë botëror./abcnews.al



