Moti me reshje bore, rrugët e bllokuara në zonën e Kukësit

schedule11:15 - 4 Janar, 2019

schedule 11:15 - 4 Janar, 2019

Në Kukës, moti ka ndryshuar nga ekstremi në ekstrem. Aty ku në ditën e dytë të vitit temperaturat ishin në vlerat pozitive, reshjet që nisën në datën 3 kanë bllokuar fshatrat në zonat e thella.

Në verilindje, temperaturat kanë zbritur disa gradë nën zero, duke shënuar edhe natën më të ftohtë të këtij fillim viti. Rrugët e qytetit kanë më pak lëvizje, ndërsa erërat herë pas here kthehen në stuhi bore, duke krijuar edhe probleme në disa akse rrugore. Rrugët nacionale të Kukësit janë të kalueshme dhe pa probleme. Rruga e Kombit po mbahet tërësisht e lirë për udhëtarët.

Në njësitë administrative Arren, Zapod, Grykeçajë, Topojan, Shishtavec, Kalis e Bushtricë masivet e borës bllokojnë herë pas here rrugët duke i bërë të pakalueshme. Banorët janë këshilluar të mos lëvizin në situata të tilla. Edhe ndërhyrja për pastrimin dhe hapjene tyre nuk jep efekt deri në qetësimin e motit, për shkak të rigrumbullimeve të dëborës.

Nuk raportohet për urgjenca mjekësore apo situata të mundshme sociale. Energjia elektrike nuk ka munguar. Grupet e punës të emergjencave civile të bashkisë janë në terren e monitorojnë situatën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!