Moscertifikimi i disa deputetëve, VV dhe AAK dorëzojnë ankesë në Gjykatën Supreme

schedule08:50 - 27 Janar, 2021

schedule 08:50 - 27 Janar, 2021

Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) këtë të mërkurë pritet që të dorëzojnë ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtesa (PZAP) për moscertifikimin e disa kandidatëve për deputetë të cilët kanë probleme me ligjin.

PZAP nëpërmjet një vendimit që publikoi të martën ka vërtetuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e pesë kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkohë nga radhët e Vetëvendosjes nuk u certifikua as kreu i saj, Albin Kurti, e më pas nuk u certifikua as Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi.

Edhe disa deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk iu është lejuar kandidimi për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ndaj këtij vendimi pati reagime nga subjektet politike të cilave nuk iu certifikuan kandidatët për deputetë.

Sipas ligjit, të gjitha palët që nuk janë të kënaqura me vendimet e PZAP-së mund t’i drejtohen Gjykatës Supreme. Palët brenda 24 orëve mund të dorëzojnë ankesat në Supreme dhe Gjykata më pas ka afat 72 orë që t’i përgjigjet ankesave të paraqitura./abcnews.al