Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza është deklaruar pas ndërprerjes së seancës konstituive, pasi kreu i VV-së, Albin Kurti ka kërkuar kohë shtesë për të arritur një marrëveshje për presidentin. Ai tha se VV po tregon papërgjegjësi, ndërsa shtoi se vendi po vazhdon të mbetet pa institucione.
“Kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit, përgjegjësisë, nga partia që ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvendin e Kosovës. Po shihet që vazhdojnë sjelljet e tyre të papërgjegjshme në raport me institucionet e Kosovës. Thirret seanca, thuajse në ditën e fundit në përputhje me Kushtetutën e ligjet, që të kemi konstituimin e Kuvendit. Në fund, dalin mbajnë fjalime politike, abuzojnë me pozitën e kryesuesit dhe në vend se të propozojnë emër, e shtyjnë propozimin e emrit për kryetar/e të Kuvendit dhe nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës”, tha Hamza, në deklarim për media pas ndërprerjes së seancës.
Ai tha se vendi po vazhdon të ketë vakuum institucional dhe kjo i dëmton drejtpërdrejtë qytetarët. Ai tha se përgjegjësia për këtë i takon partisë me rezultatin më të madh zgjedhor, LVV-së.
“Pa përmbajtje, pa produkt, pa rezultat s’kemi nevojë të takohemi. Ne kemi dhënë qëndrimin tonë. Ne në mungesë të një vizioni, projekti serioz që me i dhënë vendit institucione, në mungesë të një oferte të përgjegjshme, në mungesë të seriozitetit, ne kemi deklaruar që do të jemi parti në opozitë”, tha Hamza, kur u pyet për deklarimet e kreut të VV-së, Albin Kurti se PDK dhe AAK nuk po pranojnë takime me këtë parti.
Punimet e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës u ndërprenë, pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kërkuar kohë shtesë për arritjen e marrëveshjes politike për emrin e një kandidati për president.
“Kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans bisedimeve politike për marrëveshje për president a presidente të re”, ka thënë ai.


