Moisi Habilaj kërkon gjykim të shkurtuar në Itali

schedule19:32 - 31 Maj, 2018

schedule 19:32 - 31 Maj, 2018

Ka nisur në Katania të Italisë procesi gjyqësor ndaj bandës së Habilajve. 14 të pandehur, ndaj të cilëve rëndon akuza e trafikimit ndërkombëtar të drogës, kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.

Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij janë paraqitur të enjten në Gjykatën e Katanias për seancën e parë paraprake të procesit që pason operacionin e koduar “Trëndafili i Erërave”. Mbi të rëndon akuza e drejtimit të një organizate të specializuar në trafikun e lëndëve narkotike, kryesisht marijuanë, në aksin Shqipëri-Katania. Bashkë me Habilaj në seancë kanë qenë të pranishëm edhe Maridian Sulaj, Fatmir Minaj, si dhe italianët Antonino Riela dhe Angelo Buzaka. Sipas mediave italiane, 14 të pandehur kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, ndërsa një vendas, pjesë e grupit kriminal, ka kërkuar marrëveshje me akuzën. Nëse kërkesa e tyre pranohet nga gjyqtarja Maria Cardillo, ajo do t’u mundësojë të akuzuarve shkurtimin me një të tretën e dënimit. Vendimi për këtë do të publikohet në seancën e ardhshme, e caktuar për më 26 shtator 2018. Në dosjen e procesit, me kërkesë të prokurorit Andrea Bonomo, janë përfshirë edhe verbalet e marrjes në pyetje të Moisi Habilajt, Nazer Seitit dhe Maridian Sulaj. Të tre ata janë dëgjuar në kuadër të një procedure rogatore ndërkombëtare nga hetuesit e Krimeve të Rënda të Tiranës, të cilët udhëtuan drejt Katanias për të çuar përpara hetimet paralele mbi rrjetin e drogës, që ka si protagonist ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, kushëri i Habilajve dhe disa herë i përmendur në bisedat telefonike mes tyre. Pjesë e kësaj faze të procesit nuk do të jetë Nazer Seiti, i konsideruar financieri i bandës; ndërkohë që i akuzuari tjetër si drejtues i grupit, Florian Habilaj mbetet person në kërkim. Seiti, për të cilin më herët u tha dhe u përgënjeshtrua se kishte pranuar të bashkëpunonte me drejtësinë italiane, aktualisht ndodhet në burgun e Rebibias, në Romë. Mediat italiane shkruajnë se organizata e Habilajve luante një rol të rëndësishëm në furnizimin me kanabis të familjeve mafioze kataneze./abcnews.al