Instituti për Demokraci dhe Asistencë Elektorale ka dokumentuar se aktorë të huaj, të lidhur me interesa ruse, kineze dhe rajonale, shfrytëzojnë rregullisht temat mjedisore, etnike dhe kulturore për të koordinuar fushata dezinformimi në Shqipëri dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Sipas raportit të institutit suedez për vitin 2025, mjedisi është kthyer në një nga temat më të preferuara, sepse arrin të ketë impakt emocional te qytetarët dhe t’i mobilizojë ata.
Për më tepër, bëhet shumë e vështirë të dallohen faktet nga argumentet e rreme.
Duke përdorur fushata të dedikuara dezinformimi, këto problematika të stisura synojnë të minojnë besimin te institucionet dhe të ndikojnë në proceset demokratike.
Rajoni i Ballkanit po përballet me sfida të ngjashme që lidhen me polarizimin politik, përhapjen e dezinformimit në rrjetet sociale dhe dobësitë e ekosistemit mediatik. Këto kushte krijojnë mundësi që të promovohen narrativa përçarëse dhe të nxitet mosbesimi ndaj institucioneve publike.
Në një mjedis ku informacioni qarkullon me shpejtësi përmes platformave digjitale, dezinformimi mund të ndikojë jo vetëm perceptimet politike, por edhe kohezionin social.


