Mjaft u ankua për Trumpin, Evropa duhet të rritet për të përballuar vetë sfidat e mëdha

schedule17:12 - 28 Tetor, 2020

schedule 17:12 - 28 Tetor, 2020

Nga Judy Dempsey, Carnegie Europe

Reagimet e BE-së ndaj demonstratave të jashtëzakonshme, këmbëngulëse dhe paqësore në Bjellorusi –ku forcat e sigurisë po bëhen çdo ditë e më të dhunshme – janë të turpshme. Brukseli bën sehir i pafuqishëm për të ndërhyrë në luftën midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Tamam si me pushtimin de facto të Ukrainës Lindore nga Rusia.

Sa i përket “lagjes” jugore të Evropës – qoftë kaosi në Libi, ngërçi politik në Liban, lufta e vazhdueshme në Jemen, apo shkatërrimi i Sirisë – roli Evropian ka qenë patetik. Atje, Evropa u ka lënë dorë të lirë përgjegjësie Rusisë, Turqisë dhe Iranit. Janë këto të fundit që po e ndryshojnë panoramën gjeostrategjike të rajonit.

Dhe pafuqia strategjike e Evropës do të përkeqësohet. Vala e dytë e pandemisë së koronavirusit, e cila ka kapluar gati njëlloj gjithë Evropën, do t’i bëjë më të dobëta dhe më protektive ekonomitë e bllokut. Por nëse asnjë nga çështjet e mëdha të politikës së jashtme nuk i lëkundin evropianët nga zona e tyre e rehatisë, kjo pandemi duhet që ta bëjë këtë.

Koronavirusi po prek tashmë shumë aspekte të jetës, që deri tani merreshin si të mirëqena. Kjo tregon se vendet nuk mund të kapërcejnë të vetme pandeminë, dhe të adresojnë si duhet  pasojat e saj ekonomike.

Kjo e fundit do të kërkojë një përpjekje kolektive, shumëpalëshe që të garantohet rimëkëmbja. Dhe kjo është arsyeja pse zgjedhjet presidenciale të këtij viti në SHBA,

po ndiqen nga afër nga Evropa.

Për sa i përket çështjeve të politikës së jashtme, nuk janë negociatat mbi Brexit ose konfliktet përgjatë kufijve të BE-së, ato që kanë e kanë ndezur imagjinatën evropiane. Përkundrazi, është ajo që ndodh përtej anës tjetër të Atlantikut.

Ka një shpresë dhe dëshirë naive, që presidenti aktual Donald Trump të humbë përballë kandidatit demokrat Xho Bajden. Ekziston ndërkohë edhe ndjenja entuziaste se një fitore e Bajden – nëse sondazhet do të provohen këtu si të sakta – do të rivendosë udhëheqjen globale të SHBA-së, dhe se do të sjellë lulëzimin sërish të marrëdhënieve transatlantike.

Por ky është një mendim i dëshiruar prej dembelësh. Asnjëra nga këto nuk ka për të ndodhur nëse udhëheqësit evropianë nuk e pranojnë se mënyra e vjetër e të bërit të gjërave ka mbaruar. Mënyra e vjetër bazohej në udhëheqjen globale të SHBA-së, dhe tek një sistem shumëpalësh i ndërtuar pas vitit 1945. Gjatë Luftës së Ftohtë, ajo arkitekturë u tregua shumë rezistente. Konflikti ideologjik e elektrizoi Perëndimin, por krijoi gjithashtu një vetëkënaqësi intelektuale.

Kjo është edhe sot “sëmundja”kryesore e Evropës. Fundi i Luftës së Ftohtë, i shoqëruar me globalizimin në rritje, dhe sfidat e reja ndaj hegjemonisë së Perëndimit, veçanërisht nga ana e Kinës, por edhe nga ana e Iranit dhe Turqisë, e ka lënë Evropën pa një lidership solid. Dhe kjo gjë bart shumë rreziqe.

Ndërkaq, konfliktet në kufijtë e BE konfirmojnë shkatërrimin e rendit shumëpalësh të pas-vitit 1945. Por të ankohesh për shkatërrimin e tij, si dhe botëkuptimin e Trump “Amerika e Para”, do të thotë të lësh pas dore problemet e mëdha që duhet të adresojnë evropianët, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane.

Çështja numër një është se si të rindërtojmë multilateralizmin. Dhe kjo s’ka të bëjë vetëm me forcimin e një sistemi tregtar të bazuar në rregulla, dhe me hapjen e tregjeve për vendet e varfra. Ajo ka të bëjë gjithashtu me sigurinë, në veçanti me forcimin e kontrollit të armëve dhe frenimin e përhapjes së armëve bërthamore.

Si kontrolli i armëve ashtu edhe mospërhapja e armëve e tyre,janë lënë pas dore nga presidenca Trump. Rusia dhe Kina, mund t`a shfrytëzojnë lehtësisht këtë mungesë të lidershipit amerikan. Por përhapja e armëve bërthamore nuk është aspak në interesin e tyre, duke pasur parasysh aftësitë në rritje të Indisë, Koresë së Veriut dhe Pakistanit, për të mos përmendur ambiciet bërthamore të Iranit.

Qëndrimi i Evropës ndaj këtyre çështjeve të sigurisë, ka qenë më shumë se zhgënjyes. Udhëheqësit e BE-së, vazhdojnë të mbrojnë multilateralizmin, por gjuha e tyre është më pranë retorikës sesa konkretes.

Argumenti është se kur bëhet fjalë për kontrollin e armëve, janë Shtetet e Bashkuara ato që duhet të marrin drejtimin, dhe më pas Evropa t’i shkojë nga pas. Por në vend se të presin që Shtëpia e Bardhë të marrë drejtimin e kontrollit të armëve dhe çështjeve të sigurisë, po sikur evropianët – të udhëhequr nga Britania dhe Franca, dy fuqitë e saj bërthamore – t`a merrnin vetë këtë iniciativë?

A do të ishte kaq e vështirë për një konsorcium vendesh demokratike – përfshirë për shembull Argjentinën, Australinë, Kanadanë, Japoninë, Zelandën e Re, Afrikën e Jugut dhe Korenë e Jugut – të provojnë dhe të rinisin sërish bisedimet mbi kontrollin e armëve? Dhe ta bënin atë një çështje publike?

Realiteti i zymtë dhe i rrezikshëm, është se regjimi i kontrollit të armëve bërthamore po degradon me shpejtësi. Dhe do të duhet një përpjekje e madhe për ta risjellë Kinën në arenën e sigurisë, apo për ta ulur sërish Rusinë në tryezën e negociatave.

Pra, kushdo që të bëhet presidenti i ardhshëm i Amerikës, udhëheqësit evropianë duhet të vendosin nëse do të rriten, dhe të marrin përgjegjësinë për multilateralizmin dhe çështjet e sigurisë globale, ose të vazhdojnë të ankohen, dhe të presin që Shtetet e Bashkuara të udhëheqin. Zgjedhja duhet të jetë e qartë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al