TIRANË- Grupi i punës në Këshillin e BE-së miraton raportin IBAR, me votë unanime dhe pa asnjë kundërshtim. Nesër kalon formalisht edhe me përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së, ndërsa më 26 maj pritet mbledhja e radhës ndërministrore mes Komisionit Europian dhe Qeverisë Shqiptare.
Ky është një lajm shumë i mirë për procesin e integrimit, por edhe një goditje e fortë ndaj Sali Berishës, Jorida Tabakut dhe korit të opozitës që punoi, investoi dhe mashtroi publikisht, duke pretenduar se IBAR ishte bllokuar apo edhe rrëzuar.
Në intervistë për “Tirana Live”, nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Malaj, u shpreh optimist për ecurinë e procesit të integrimit. Sipas tij, Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrat e kërkuara nga Bashkimi Europian dhe ndodhet në rrugën e duhur për të avancuar me mbylljen e grupkapitujve.
Ai theksoi se sfidat kryesore mbeten vijimi i reformës në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa nënvizoi se Bashkimi Europian ka mbështetur progresin e Shqipërisë në këto fusha.
Malaj apeloi gjithashtu për bashkëpunim politik në funksion të integrimit europian, duke theksuar se çështje të tilla duhet të qëndrojnë larg përplasjeve të politikës së përditshme. Ai theksoi se opozita shqiptare tenton të gjejë alibi kontestuese për çdo sukses të Shqipërisë dhe kjo qasje shtoi ai është e gabuar.
“Ne kemi qenë besimplotë gjatë gjithë kohës dhe çdo gjë që është kërkuar nga ne është bërë. Do të kemi 26 majin, konferencën ndërqeveritare BE-Shqipëri. Raporti që në momentin që do ta shohim, do të ketë arritje të mëdha, por edhe sfida, me të cilat ne do të përballemi.
Ne jemi në rrugën e duhur për të përmbushur të gjitha detyrat e ngarkuara nga BE-ja. Me t’u mbyllur këto, duhet të fillojë puna për mbylljen e grupkapitujve. Për t’i mbyllur ato, duhet të përmbushen të gjitha sfidat.
Sfidat janë që ne të vijojmë të zbatojmë reformat, si ajo e drejtësisë, apo edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria ka bërë hapa përpara dhe BE-ja e ka mbështetur këtë gjë, dhe sot po legjitimohet një e drejtë që ne e kemi thënë gjithë kohës. Ne nuk jemi emocionalë në këtë proces, jemi shumë të qartë se çfarë na pret. E dimë ku i kemi vështirësitë dhe ku i kemi objektivat për t’i arritur.
Te integrimi duhet të jemi bashkë. Opozita kërkon të gjejë alibi në çdo sukses dhe në çdo arritje të Shqipërisë. Këto janë arritjet e Shqipërisë, që prej ndërrimit të sistemit dhe deri më sot. Mendoj se te çështje të tilla nuk duhet të përzihet politika e përditshme; kjo është politikë madhore.
Kjo do t’i bëjë të rinjtë shqiptarë të jenë më dinjitozë në Evropë. Nga hyrja në BE do të përfitojë çdo qytetar shqiptar. Të bëjmë politikë kaq të vogël për një gjë kaq të madhe, por kjo është çështja e opozitës.”, tha ai./abcnews.al


