Republika e Kosovës e ka shpallur persona non grata ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin tranzit në territorin e Kosovës.
Vendimi është marrë pas deklaratës së saj, në të cilën tha se, nëse do të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e cilësoi gjuhën e përdorur nga Paunoviq si vazhdimësi të një politike shtetërore që, sipas tij, për dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre. Ai shtoi se deklarata të tilla duhet të dënohen ashpër nga të gjitha shtetet.
“Si ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam marrë vendim me të cilin Snezhana Paunoviq shpallet persona non grata, person i padëshiruar, me ndalim të përhershëm të hyrjes dhe kalimit tranzit nëpër territorin e Republikës së Kosovës. Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe i nënshtroheshin spastrimit etnik ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.
Ai theksoi gjithashtu se çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me një përgjigje të vendosur, në përputhje me ligjin dhe institucionet e vendit.



