Ministrja e Drejtësisë: Vettingu nuk kapet dhe nuk ndalet

schedule13:54 - 25 Korrik, 2018

schedule 13:54 - 25 Korrik, 2018

Akuzat e demokratëve për përdorim të dy standarteve gjatë procesit të Vettingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, sollën reagimin e qeverisë.

“Procesi i Vettingut, po qëllohet përditë me gurët e revanshit të dëshpëruar të një opozite që pasi ka humbur pushtetin absolut mbi gjyqësorin e korruptuar deri në palcë, ka humbur edhe rrugën e arsyes”, tha ministrja Gjonaj.

Vettingu po funksionon, tha minsitrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, duke huazuar shprehjen e kryeministrit.

“Vettingu po funksionon dhe pastrimi i shumëpritur prej dekadash i Pallatit të Drejtësisë po ndodh”, tha ajo.

Për këtë, ish-ministri teknik, demokrati Gazment Bardhi vendosi t’i kujtojë ministres se si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po bën punët e shtëpisë, duke përmendur raste të konfirmimit në detyrë.

“Gjyqtarë dhe prokurorë që kanë deklaruar vila në pronësi të fëmijëve të tyre të mitur, të dhuruara nga prindërit pensionistë. Gjyqtarë dhe prokurorë të cilëve u janë zbuluar prona në bregdet në emër të vëllezërve. Gjyqtarë e prokurorë që kanë blerë pasuri të paluajtshme duke u marrë borxh familjarëve pa të ardhura dhe që banka u ka sekuestruar shtëpinë për mospagim kredie. Gjyqtarë e prokurorë të kapur në flagrancë në përgjime në afera korruptive”, tha Bardhi.

Qëllim final i kësaj, për demokratët, është bllokimi i ngritjes së njësisë speciale antikorrupsion dhe Byronë e Hetimit, të vetmet që përmes zbatimit të reformës në drejtësi mund të hetonin edhe vetë kryeministrin për korrupsion.

“Që Tahiri, Xhafaj, Gjiknuri, Ahmetaj, Veliaj, Dako, Sejdini, Habilajt dhe Balilajt t’i shpëtojnë drejtësisë”, tha ish-ministri teknik.

Etilda Gjonaj e mendon ndryshe. Kapjen e procesit të Vettingut nga ekzekutivi e mohon kategorikisht, por shqiptarëve i jep pikërisht qeverinë për garant të reformës në drejtësi.

“Ne do të jemi deri në fund, garantët e palëkundur të një reforme që po bën histori në rrugën e drejtësisë shqiptare. Opozita është në çdo moment e mirëpritur për të bashkëpunuar për vazhdimin, po kurrsesi për asnjë kthim mbrapa, dhe kurrsesi për të ç’bërë atë që u miratua para dy vjetëve”, theksoi Gjonaj.

Për këtë i kërkon opozitës të mos bllokojë ndryshimet ligjore për Shkollën e Magjistraturës, por opozita miratimin e tyre e sheh pikërisht si kthim mbrapa dhe zbërje të konsensusit të 21 Korrikut 2016.

“Ligji për Shkollën e Magjistraturës është provë e qartë sesi Edi Rama po zhbën reformën në drejtësi, sepse ky ligj është kthim mbrapa tek institucionet e kalbura të sistemit të vjetër të drjetësisë. Edi Rama kërkon t’i japë fuqi për emërimin e gyqtarëve Këshillit të Lartë të Drejtësisë, një institucion që reforma në drejtësi e shkriu si ngrehinën më të korruptuar në vend. Rikthimi i Edi Ramës tek institucionet e kalbura të drejtësisë pengon ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor”,  theksoi Bardhi.

Për ministren Gjonaj, fakti që vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe po shkon drejt bllokimit të Gjykatës së Lartë është thjesht i përkohshëm dhe i kuptueshëm. Por për demokratët janë pikërisht funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të përcaktuara në kushtetutë dy vjet më parë rruga e vetme e daljes nga koplasi i drejtësisë në vend/abcnews.al