Ministria e Jashtme: Delimitimi i hapësirës detare, bazuar në konventat dhe praktikat ndërkombëtare

schedule18:58 / 30/01/2018

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, përmes një deklarate për shtyp, sqaron opinionin publik se delimitimi i hapësirave detare është në interes të të dy vendeve si për sa i përket përcaktimit përfundimtar të kufijve të ushtrimit të sovranitetit dhe të drejtave sovrane në këto hapësira, po ashtu në drejtim të shfrytëzimit ekonomik të tyre.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme sqarohet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen e nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2009. Në mungesë të një marrëveshje mes tyre, që prej vitit 2013 palët kanë kryer një sërë diskutimesh për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për këtë çështje.

Në këto diskutime, sipas Ministrise së Jashtme, qëndrimi i palëkundur i palës shqiptare ka qenë dhe mbetet lidhja e një marrëveshjeje për delimitimin e hapësirave detare bazuar në parimet e Konventës për të Drejtën e Detit ku të dy shtetet janë palë, praktikën ndërkombëtare, vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese dhe legjislacionin e brendshëm që do të mundësojë një ndarje të drejtë dhe të pranueshme për të dy palët.

“Çdo interpretim tjetër nga aktorët politikë është qëndrim dashakeq që synon të relativizojë, apo më keq, mohojë gabimet trashanike të së shkuarës”, përfundon deklarata e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme./abcnews.al

schedule18:58 / 30/01/2018