TIRANË – Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dënuar aktet e vandalizmit të regjistruara një ditë më parë në selinë e Nunciaturës Apostolike në Tiranë, ku ndër të tjera është hequr edhe flamuri i Selisë së Shenjtë.
Në një reagim zyrtar, ministria thekson se respektimi i paprekshmërisë dhe dinjitetit të përfaqësive diplomatike përbën një detyrim themelor, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe të drejtën ndërkombëtare.
Ministria nënvizon se e drejta për të protestuar është pjesë e pandashme e një shoqërie demokratike, por ushtrimi i saj duhet të bëhet në respekt të ligjit dhe pa akte dhune apo vandalizmi.
“Autorët e akteve të paligjshme duhet të identifikohen dhe të përgjigjen përpara ligjit”, thuhet në reagimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Gjithashtu, ministria ka vlerësuar reagimin e Policisë së Shtetit dhe ka shprehur besimin se institucionet kompetente do të zbardhin plotësisht ngjarjen.
Në përfundim, theksohet rëndësia e bashkëpunimit mes institucioneve për të garantuar sigurinë dhe paprekshmërinë e të gjitha përfaqësive diplomatike në Shqipëri.


