Meta kthen në Kuvend koncesionin për rrugën Orikum-Dukat

schedule09:30 - 9 Gusht, 2019

schedule 09:30 - 9 Gusht, 2019

Presidenti i Republikës ktheu për rishqyrtim në Kuvend një tjetër kontratë koncesionare, atë për rrugën Orikum–Dukat. Në arsyetimin për këtë dekret, presidenti Meta shprehet se ligji i paraqitur miraton një kontrate koncesionare që shkel konkurrencën e lirë dhe barazinë përpara ligjit, duke krijuar rrezik për cenim të interesit publik.

“Ligji rrezikon seriozisht buxhetin e shtetit dhe ekonominë e familjeve shqiptare, pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të saj në ekonominë e vendit” – thekson Meta.

Një tjetër argument për mosdekretimin, sipas kreut të shtetit është se kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik është formalizuar përgjatë një procesi jotransparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore konkrete për negocimin e kushteve materiale të saj.

“Mungesa e një vlerësimi të qartë ekonomik, krijon rrezik për cenim të financave të shtetit dhe interesit publik”, thuhet me tej ne arsyetimin e institucionit të presidencës.

Po ashtu, sipas presidentit, nuk rezulton të ketë një studim fizibilteti të plotë dhe objektiv të hartuar dhe të miratuar nga institucionet shtetërore përgjegjëse të ngarkuara me ligj me këtë detyrë. Ndërkaq nuk është dhënë miratimi i këtij projekti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, konform kërkesave të aktit që rregullon këtë proces.

Sipas presidentit, çmimi i dakordësuar midis palëve në vlerën prej 67 milion 359 mijë 926 Euro, plus TVSH, është 16 milione784 mije 906 Euro, më i lartë se kostoja e projektit, e publikuar nga vet autoriteti kontraktor për konkurrim.

Presidenti i Republikës evidenton gjithashtu se institucionet financiare ndërkombëtare kanë kërkuar nga qeveria shqiptare në mënyrë eksplicite eliminimin në mënyrë të menjëhershme të ofertave të pakërkuara, si oferta me një kosto të rëndë në ekonominë e vendit. /ABC News Albania 24/7