Deklaratat e përsëritura të Donald Trump se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e Groenlandës nga Danimarka, kanë kthyer vëmendjen e botës tek kjo çështje,
Por ndërsa debati intensifikohet për të ardhmen e ishullit, banorët e tij thonë se vetëm ata mund të vendosin për të ardhmen e tyre.
Në një intervistë në emisionin “360 Gradë” në ABC News, Ledion Krisafi, ekspert i gjeopolitikës deklaroi se kërkesa apo pretendimet e ngritura nga Presidenti Donald Trump, nga pikëpamja e sigurisë nuk kanë aspak logjikë.
Më tej shtoi se kërkesat e përsëritura, i sheh vetëm si një “kapriço” të presidentit Trump.
“Ajo që kërkon Trump nga pikëpamja e sigurisë nuk ka logjikë. Nuk e ndalon asgjë SHBA të bëjë dy baza apo tre baza në Groenlandë. Danimarka është pjesë e NATO-s. Mendoj që logjika e Donald Trump është thjesht një “kapriço”, një mënyrë për të ngelur në histori. Pra nga pikëpamja e sigurisë, nuk ka logjikë, sepse në thelb është diçka që e ke, është pjesë e NATO-s”, tha ai.
Presidenti Trump nuk e ka përjashtuar përdorimin e trysnisë ekonomike ose ushtarake për të marrë Groenlandën nën kontroll.
Komentet e tij alarmuan aleatët evropianë. Megjithatë, Groenlanda thotë se mund të gjejë gjuhë të përbashkët me Uashingtonin.
/abcnews.al/