Mediat amerikane: Anëtari liberal i Gjykatës së Lartë, Stephen Breyer do të dalë në pension

schedule20:46 - 26 Janar, 2022

schedule 20:46 - 26 Janar, 2022

Anëtari liberal i Gjykatës së Lartë Stephen Breyer, do të dalë në pension në fund të mandatit aktual të gjykatës që mbyllet në fund të qershorit, njoftojnë disa media amerikane.

Me tërheqjen e tij, 83 vjeçari që është anëtari më i moshuar i gjykatës, i jep mundësinë presidentit demokrat Joe Biden që të emërojë një anëtar të ri liberal që mund të shërbejë për dekada në gjykatën më të lartë të vendit.

Gjykatësi Breyer, autor i vendimeve të rëndësishme që mbështesin të drejtat e abortit dhe qasjen në kujdesin shëndetësor, ka kontribuar në avancimin e të drejtave të komunitetit LGBT dhe ka ngritur pikëpyetje mbi kushtetueshmërinë e dënimit me vdekje, por me një shumicë konservatore prej 6 anëtarësh në gjykatën me 9 anëtarë, po e gjente veten gjithnjë e më shpesh kundër vendimeve të përcaktuara nga kjo shumicë.

Stephen Breyer u emërua në Gjykatën e Lartë nga ish-Presidenti demokrat Bill Clinton në vitin1994. Gjykatësi konservator Clarence Thomas, një nga vetëm dy anëtarët afrikano-amerikanë që ka pasur kjo gjykatë, është i vetmi që ka shërbyer më gjatë se kolegu i tij Breyer, që nga viti 1991.

Gjatë fushatës zgjedhore presidenciale në vitin 2020, Presidenti Biden premtoi se do të emëronte një grua me ngjyrë nëse kishte një vend vakant në Gjykatën e Lartë.

Demokratët kanë një epërsi të ngushtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara, i cili sipas Kushtetutës konfirmon kandidatët e Gjykatës së Lartë.

Mes kandidateve të mundshme për të pasuar gjykatësin Breyer, janë Ketanji Brown Jackson, që ka shërbyer në ekipin e tij në Gjykatën e Lartë dhe që është aktualisht gjyqtare apeli dhe Leondra Kruger, e cila shërben në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë.

Thurgood Marshall është i vetmi gjykatës tjetër me ngjyrë që ka shërbyer në Gjykatën e Lartë amerikane, nga viti 1967 deri në 1991.

Një anëtar i emëruar nga zoti Biden nuk do të ndryshonte balancën ideologjike të gjykatës, por do t’i jepte atij mundësinë që të vendoste në krahun liberal një jurist shumë më të ri në moshë në postin e përhershëm.

Ish-presidenti republikan, Donald Trump, emëroi tre gjyqtarë gjatë katër viteve të tij në detyrë, që mund të shërbejnë për dekada me radhë në postin e përhershëm. Senati, që në atë kohë kishte shumicë republikanë, konfirmoi konservatoren Amy Coney Barrett në vitin 2020 pas vdekjes së gjykatëses liberale Ruth Bader Ginsburg.

Pasi zoti Biden fitoi në zgjedhjet e vitit 2020, disa aktivistë liberalë i kërkuan zotit Breyer të dilte në pension ndërsa demokratët kanë kontrollin e Senatit, të shqetësuar se nëse ai nuk e bënte një gjë të tillë, republikanët mund të bllokonin konfirmimin e pasardhësit të tij nëse rifitojnë shumicën, ose se një president i ardhshëm republikan mund të emëronte një tjetër konservator, duke e çuar edhe më djathtas prirjen e gjykatës.

Senati është aktualisht i ndarë 50-50, por demokratët e sigurojnë shumicën me votën e nënpresidentes Kamala Harris. Konfirmimi i një anëtari të gjykatës së lartë kërkon një shumicë të thjeshtë votash.

Aktivistët liberalë duan me çdo kusht të shmanget një përsëritje e situatës së krijuar kur zoti Trump emëroi gjykatësen Barrett në vendin e e mbetur bosh pas vdekjes së gjykatëses liberale Ginsburg, duke zgjeruar shumicën konservatore të gjykatës.

Mandati aktual nëntëmujor i gjykatës filloi në tetor dhe që atëherë ka rënë në sy vendosmëria në rritje e shumicës së saj për të marrë vendime në përputhje me ideologjinë konservatore .

Deri në fund të qershorit, gjykata duhet të marrë vendime për çështje që u japin gjyqtarëve konservatorë mundësinë të kufizojnë të drejtat e abortit dhe të zgjerojnë të drejtat për armëmbajtje.

Në krahun liberal të gjykatës, zoti Breyer konsiderohet një i moderuar që përpiqet për konsensus kurdo që ishte e mundur.

Ai ishte autor i dy vendimeve të rëndësishme për abortin në vitet 2016 dhe 2020 që hoqën kufizimet në klinikat e Teksasit dhe Luizianës. Ai ishte gjithashtu pjesë e shumicës që mori vendimin historik që legalizoi martesat e personave të të njëjtit seks në vitin 2015.

Vitet e fundit, zoti Breyer ka kritikuar vazhdimisht dënimin me vdekje, duke vënë në dukje ekzekutimin e personave të pafajshëm dhe diskriminimin racor në dhënien e këtyre dënimeve.

Dy gjyqtarët e tjerë liberalë të gjykatës janë Sonia Sotomayor dhe Elena Kagan./VOA