Mbrojtjet stoike, zotërimi i topit dhe forca goditëse: Derbi i Tiranës në shifra

schedule12:18 - 20 Janar, 2021

schedule 12:18 - 20 Janar, 2021

FSHF nuk u ndahet analizave të Superiores dhe këtë herë Departamenti i Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit është marrë me derbin e kryeqytetit, duke nisur nga porta dhe mbrojtja, për të vijuar me zotërimin e topit dhe sulmet respektive të Partizanit dhe Tiranës. Më poshtë analiza e publikuar në sajtin zyrtar.

DY SUPER MBROJTJE & DY SUPER PORTIERË – Numrat e të dy portierëve, Alban Hoxha dhe Visar Bekaj, janë të tilla prej skuadrash në vend të parë në klasifikim. Alban Hoxha i Partizanit është portieri që bën më pak pritje në kampionat, 2.09 për ndeshje, i ndjekur nga Visar Bekaj i Tiranës, i cili pret 2.49 herë gjatë një ndeshjeje.

Bekaj është edhe portieri që ka bërë më shumë dalje në lartësi në këtë kampionat, 2.09 në ndeshje kundër 1.35 që bën Hoxha, i dyti në këtë klasifikim është Zogoviҫ i Vllaznisë me 1.66. Numrat e këtyre portierëve, mbi të gjitha pritjet e pakta, tregojnë jo vetëm besueshmërinë e portierëve, por edhe sigurinë e mbrojtjeve respektive.

ZOTËRIMI TOPIT – Pas Vllaznisë për numrin e pasimeve të realizuara në një ndeshje (396.3) gjatë këtij kampionati, në renditje vijnë Tirana dhe Partizani, me 375.2 dhe 363.9. Së bashku me Kukësin, Tirana është e para në përqindjen e pasimeve të arritura me sukses, 80.3%, Partizani në këtë të dhënë është kuotën e 79.3%.

Të kuqtë janë skuadra që realizojnë më pak pasime të gjata në këtë kampionat, 46.7 për ndeshje, me Tiranën që është pak më poshtë se mesatarja e kampionatit me 50.1 për ndeshje, por ndodhet në vend të dytë pas Laҫit në raport me pasimet e gjata të kryera me sukses (56.7% Tirana dhe 56.9% Laҫi).

SA DIFERENCA NË SULM – Tirana është skuadra që realizon më shumë pasime të cilat përfundojnë në 30 metra e fundit, 56.5 për ndeshje, duke qenë në vend të dytë mbrapa Teutës që realizon 60 në ndeshje, por është qartësisht e para për saktësinë e këtyre pasimeve, 70%. Në këtë renditje të veçantë, Partizani është në vendin e tetë në kampionat, me 47.7 pasime për ndeshje.

Këtu dalin të dhëna më të thella që krijojnë diferenca: Tirana që dërgon shumë topa në 30 metrat e fundit, gjuan shumë pak drejt portës, 9.56. Partizani gjuan akoma më pak, 9.3 për ndeshje, por dërgon shumë më pak pasime në 30 metrat e fundit. Por e dhëna që godet më shumë është ajo e saktësisë së gjuajtjeve në portë: Partizani është i pari në kampionat, me 44.2% dhe Tirana e fundit me 30.3%. /abcnews.al