Prej gati një viti SPAK ka përfunduar hetimet për ish presidentin e vendit Ilir Meta, i cili aktualisht po gjykohet në themel për tre vepra penale së bashku me ish bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi. Por, pavarësisht se prej kohësh ka përfunduar hetimi ndaj tij, Meta ende nuk ka marrë në dorëzim të gjitha aktet hetimore të prokurorisë së posaccme.
Ai e ka përsëritur disa herë thirrjen që gjykata ti vërë në dizpozicion materialin e plotë, kërkesë që e bëri edhe në seancën e kësaj të enjte përpara trupës gjykuese. Kryesuesi i seancës Erjon Bani u shpreh se aktet kanë qenë gjithë kohës në sekretarinë e GJKKO, por mbrojtësi ligjor i mëparshëm i Metës Kujtim Cakrani ka refuzuar ti tërheqë ato.
Kujtim Cakrani pak ditë më parë njoftoi publikisht dorëheqjen e tij nga mbrojtja ligjore e Ilir Metës, për mungesë bashkëpunimi dhe respekti reciprok. Shkalla e parë e gjyqësorit legjitimoi Bujar Mustën si avokatin e ri të Ilir Metës.
Ky i fundit kundërshtoi parashtrimet e SPAK, sa i përket akuzave që janë ngritur ndaj Ilir Metës, ndërsa e njëjta procedurë u ndoq edhe nga avokati mbrojtës i ish deputetes Monika Kryemadhi dhe nga vetë kjo e fundit.
Kryemadhi i kërkoi gjykatës të shpallë të pavlefshme dhe të papërdorshme të gjitha të dhënat që janë marrë nga aparti i saj celular, që është sekuestruar nga agjentët e BKH në kohën kur ccështja ishte në hetim.
“Në momentin që telefoni është ekspertuar në vitin 2023, unë isha deputete dhe organi akuzës nuk mund të vinte për të bërë kontroll. Do të doja që SPAK të na vinte në dijeni për procesverbalin dhe çfarë vëzhgimi është bërë në telefonin e sekuestruar. Ky telefon mbi të cilin është ngritur akuza, mbi çfarë ekspertimi është kryer? Këtë gjë nuk e kam në dosje, kur është ekspertuar, nga kush, çfarë është përftuar dhe mbi çfarë vendimi.”
Seanca e radhës u caktua në 29 korrik, ku do të vijojë sërish pala e mbrojtjes me kundërshtimet dhe më pas GJKKO do të shprehet lidhur me listën e dëshmitarëve që janë paraqitur nga të dyja palët për tu thirrur në këtë proces.



