Mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor, publikohen video si prova për shkarkimin e Metës

schedule14:26 - 17 Maj, 2021

schedule 14:26 - 17 Maj, 2021

Komisioni Hetimor ka zhvilluar mbledhjen e radhës për hetimin e shkeljeve nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, ku edhe ka publikuar disa video me deklaratat e Kreut të Shtetit, të bëra para zgjedhjeve të 25 prillit.

Ndërsa kanë renditur arsyet dhe publikimin e disa videove që sipas tyre janë evidentuar si shkelje të rënda të Presidentit, kryetari i Komisionit Hetimor, Alket Hyseni tha se Metës, do t’i niset një shkresë për veprimtarinë lidhur me periudhën para dhe gjatë fushatës zgjedhore.

“Janë dhjetëra CD, këto ishin disa që ne kemi përzgjedhur për tu shfaqur, por unë do të ftojë secilin nga anëtarët që të njihen me volumin e pamjeve. Administrata të mos bëjë përsëritje të deklaratave. E rëndësishme është që të referohen shqetësimet që ngrihen nga 49 deputetët.

Secili nga ju nëse dëshiron të njihet me këto pamje, ne mund ta publikojmë. Dua t’ju sqaroj që është e pamundur si kohë që ne ti publikojmë. Ju njihuni me pamjet dhe çdo shqetësim mund të përcillet dhe ta trajtojmë në mbledhjet e ardhshme”, tha Hyseni, ndërsa shtoi: “Për periudhën para dhe gjatë fushatës dhe për ditën e heshtjes zgjedhore mund t’i nisim një shkresë presidentit për veprimtarinë lidhur me këtë periudhë të vendosë në dispozicion korespondecën që ka pasur me institucionet. Kuvendi na ka adresuar për të kontrolluar të gjithë veprimtarinë e Presidentit të Republikës për këtë periudhë”, tha më tej Hyseni.

Po ashtu edhe anëtarja e komisionit, Klotilda Bushka, renditi fjalët denigruese e fyese sipas saj, që Presidenti ka përdorur para dhe gjatë fushatës elektorale.

“Një pjesë e materialeve kanë të bëjnë me emisione televizive, një pjesë tjetër janë poste në Facebook. Pjesën e materialeve audio-vizive, të gjithë kolegët mund t’i kenë në celularët e tyre dhe mund t’i shohim vetë. Për efekt të procedurës ne i shfaqim, por është mirë që edhe anëtarët e komisionit t’i kenë këto pamje”, u shpreh ajo.

Ndërkohë Artan Spahiu ka pranuar detyrën për të qenë ekspert ligjor pranë Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Metës.

/abcnews.al/