May: Nuk do të ketë referendum të dytë

schedule20:55 - 17 Dhjetor, 2018

schedule 20:55 - 17 Dhjetor, 2018

Teksa ka paralajmëruar se nuk do të ketë një referendum të dytë për Breksit, kryeministrja Thereza Mej u ka kërkuar ligjvënësve të miratojnë marrëveshjen e largimit nga BE-ja, që do të votohet në javën e dytë të janarit.

Kryeministrja britanike Thereza Mej ka përjashtuar mundësinë e një referendumi të dytë mbi Breksit dhe ka paralajmëruar se marrëveshja e arritur me BE-në do të votohet në Parlament më 14 janar. Votimi ishte planifikuar të mbahej javën e kaluar, por u shty pasi shefja e qeverisë i druhej dështimit. Duke njoftuar datën e re, Mej deklaroi se BE e ka bërë të qartë se çështja e kufirit irlandez nuk është një komplot për të futur në kurth Mbretërinë e Bashkuar, ndaj u bëri thirrje ligjvënësve ta votojnë atë. Laburistët në opozitë kishin kërkuar se do të kërkonin me forcë një votëbesim për kryeministren nëse ajo nuk do të caktonte një datë për votimin. Në një fjalim në dhomën e përfaqësuesve, zonja Mej bëri me dije se deputetët do të mund ta diskutojnë marrëveshjen më 7 janar dhe më pas votimi do të mbahet javën pasardhëse. “Mungojnë vetëm 14 javë nga largimi nga Bashkimi Europian dhe e di që shumë njerëz në këtë dhomë janë të shqetësuar sepse shumë shpejt do të na duhet të vendosim”, deklaroi May. Ajo theksoi se javën e kaluar mori garanci të reja nga BE për të shmangur përplasjet lidhur me kufirin irlandez dhe se garanci të tjera politike dhe ligjore do të marrë në ditët në vazhdim. Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE më 29 mars 2019 dhe marrëveshja përmban kushtet e daljes dhe përfshin një deklaratë që përcakton marrëdhëniet e ardhshme mes Londrës dhe Brukselit. /abcnews.al