Numërimi mbrapsht ka nisur. Trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Rolando Maran do të publikojë paraditen e së enjtes listën e tij të parë me lojtarët që do të ketë në dispozicion për dy miqësoret e qershorit. Sfida debutuese e teknikut kuqezi do të jetë më 3 qershor kundër Izraelit, e dyta ndaj Luksemburgut më 6 qershor, të dyja në “Air Albania”.
Koha e shkurtër në dispozicion nuk premton një revolucion, por gjithsesi risitë në zgjedhjet e Maran nuk do të mungojnë.
Në fakt, janë dy lojtarë që pritet të grumbullohen nga trajneri italian.
Bëhet fjalë për Luis Hasa dhe Cristian Shpendi.
I pari vendosi të bashkohet me kombëtaren e Shqipërisë, pasi kishte luajtur deri në kombëtaren U 21 të Italisë.
Në pronësi të Napolit, Luis Hasa luaji I huazuar te Carrarese në sezonin e fundit të Serie B, ndërsa për të kjo është ftesa e parë në përfaqësuesen shqiptare.
Nga ana tjetër, Cristian Shpendi u grumbullua nga Sylvinjo vetëm një herë, ndërsa debutoi në miqësoren kundër Gjibraltarit.
Sulmuesi kthehet në skuadrën kuqezi si një nga golashënuesit me të mirë të Serie B me Cesena.
Një tjetër emër I përfolur javët e fundit është ai i Andri Mehmeti, talenti 17 vjeçar që luan me Nju Jork Red Bull në SHBA, por për të nuk ka konfirmime zyrtare, nëse ka zgjedhur kombëtaren e Shqipërisë. Sa I përket pjesës tjetër të listës së Rolando Maran, pritet që ajo të përbëhet nga emrat tashmë të konsoliduar në përfaqësuesen kuqezi.
Gjithçka do të zyrtarizohet paraditen e së enjtes, ndërsa grumbullimi do të nisë më 1 qershor. Kjo do të thotë se Maran do të ketë vetëm dy ditë kohë për të injektuar idetë e tij, përpara sfidës së parë kundër Izraelit.


