Manastirliu paralajmëron masa për festa: Ekspertët e shëndetësisë po vlerësojnë situatën

schedule10:24 - 20 Dhjetor, 2021

schedule 10:24 - 20 Dhjetor, 2021

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nga Kuvendi ka paralajmëruar se mund të ketë masa anti-COVID shtesë për festa duke qenë se do të ketë ndërveprim më të lartë. Ministrja tha se ekspertët e shëndetësisë po vlerësojnë situatën.

Jemi para festave kur padyshim presim të rriten shkëmbimet ndërveprimet dhe është një situatë sa delikate po ashtu dhe fluide, ndaj ekspertët e shëndetësisë po vlerësojnë këtë situatë për masat që do të nevojiten, për mbrojtje. Duke filluar nga 4 janari të gjithë punonjësit në administratë dhe supermarkete duhet të paraqesin kartën e vaksinimit atë të shërimit ose antigenin çdo 8 ditë. Jemi duke vlerësuar situatën dhe po vijojmë me investimet”, tha ministrja.

Duke theksuar se e gjithë bota po përballet me rritje të rasteve për shkak të variantit të ri të COVID, Omicron, ministrja tha se kemi arsye për të qenë të shqetësuar por nuk duhet të panikosemi. Si një shembull që ndoshta mund ta ndjekë dhe vendi jonë, ajo përmendi disa vende që kanë marrë masa për festa, si Franca, Gjermania, Holanda.

S’do stepemi pranë sfidave dhe vështirësive, do çojmë përpara vaksinimin. E gjitha bota po përballet me rritje të rasteve për shkak të Omicron, kemi arsye për të qenë të shqetësuar por edhe për të shmangur panikun. Ka ende të panjohura për variantin. Nëse dyfishohen raste do kemi më shumë infektime dhe më shumë të shtruar tha drejtori i obsh. Evropa po shton masat përforcuese. Holanda, Franca Gjermania, Austria nën masa të kufizuara dhe për festa”, shtoi Manastirliu.

Lexo edhe: “Të shqetësuar”, Manastirliu: Me 3 doza mbrojtja nga Omicron mbi 80%, bota përballë valës së re

Para 12 muajsh qeveria shqiptare do të siguronte kontratën e parë prej 500 mijë dozash vaksine me kompaninë Pfizer, që do t’i hapte rrugë vaksinimit të popullsisë në Shqipëri, ndërsa sot qeveria ka siguruar 3 milion doza vaksine. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj në Kuvend tha se qeveria do të vijojë të garantojë vaksinimin anticovid për qytetarët.

Dhjetorin e një viti më parë, pak kush e mendonte se pas vetëm 12 muajsh do të kishim siguruar plot 3 milionë doza vaksina. Për shumëkënd nuk është më lajm por më lejoni t’ju them se pak ditë më parë mbërritën mbi 100 mijë doza të vaksinës Pfizer, ndërsa priten së afërmi edhe 375 mijë doza vaksine përmes mbështetjes së Bashkimit Europian. Siç presim të kemi sasinë e parë të vaksinave Johnson &Johnson nga Covax së shpejti. Qeveria shqiptare ka siguruar gjithashtu një kontratë të re prej 1.5 mln dozash me kompaninë Pfizer dhe do të vijojmë edhe më tej furnizimin me vaksina te tjera”, u shpreh ajo.

Duke iu drejtuar skeptikëve të vaksinës, Manastirliu renditi disa fakte mbi rëndësinë e vaksinimit.

10 herë më shumë mundësi për t’u infektuar kanë të pavaksinuarit krahasuar me të vaksinuarit. Është e dhënë e përllogaritur nga ekspertët e shëndetit publik, nga të dhënat e përditshme të infektimeve në vend. Mbi 90% e të shtruarve në spital janë të pavaksinuar. 2 dhe 3 herë më i ulët është numri i fataliteteve në kushtet e vaksinimit, duke krahasuar dy periudhat kulmore, siç ishte nëntori i vjetshëm dhe shkurti i këtij viti”, tha mes të tjerash.

Duke folur për kapacitetet për përballimin e pandemisë, Ministrja Manastirliu tha se do të vijojë rritja e kapaciteteve, duke mundësuar rritjen e përgjigjes ndaj rasteve urgjente dhe kapaciteteve spitalore ku përmendi investimin e ri të spitalit infektiv për ta kthyer në një qendër ekselence të sëmundjeve infektive.

Jemi duke vlerësuar në dinamikë situatën dhe në ndërkohë po vijojmë me investimet në sektor për të siguruar Planin e Dimrit si dhe vazhdimit të rritjes së kapaciteteve qoftë sa i përket testimit dhe gjurmimit me shtimin e aparaturave të reja në ISHP, shërbimit të Urgjencës Kombëtare, ku një flotë e re prej 20 autoambulancash do të bëhet efektive brenda këtij viti duke mundësuar rritjen e përgjigjes ndaj rasteve urgjente si dhe kapacitetet spitalore, ku bëjmë të mundur dhe fillimin e investimit në spitalin infektiv, të një investimi mbi 4 milionë euro për ta fuqizuar e për ta bërë një spital modern dhe qendër ekselence të sëmundjeve infektive. Paralelisht pavionet e përgatitura në spitalet rajonale vijojnë të jenë në gjendje gatishmërie për t’iu përgjigjur çdo skenari të hapjes së tyre për trajtim të plotë të rasteve të pacientëve covid”.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer 2,253,886 vaksinime. Mbi 1 milion qytetarë janë vaksinuar dy doza, ndërsa mbi 124 mijë kanë marrë dozën e tretë të vaksinës anti-covid. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!