Manaj e Bare njëzëri: Të fitojmë me Kazakistanin e Lituaninë!

schedule13:59 - 7 Tetor, 2020

schedule 13:59 - 7 Tetor, 2020

Rey Manaj është grumbulluar me Shqipërinë për ndeshjet e Nations League, ndërkohë që pret zhvillime edhe nga merkato. Sulmuesi lushnjar është vënë në shitje nga Barcelona, që e aktivizoi sulmuesin në ekipin e dytë. Sigurisht fillimisht ai flet për kombëtaren.

“Kemi përpara dy ndeshje të rëndësishme. Me Lituaninë nuk ishim maksimum. Kishim arritur një ekuilibër dhe duhet t’i fitojmë këtë ndeshje. Duhet të futemi në fushë të përqendruar dhe me vetëbesim te kualiteti ynë. Synimi është fitorja”, tha Manaj fillimisht.

“Formacioni caktohet nga trajneri. Uroj të jenë të gjithë sulmuesit. Nuk ka rëndësi kush luan nga fillimi apo pastaj. Sa më shumë të jenë aq më mirë është. Konkurrenca ndikon për mirë për ne”, shtoi sulmuesi.

“Në kombëtare të gjithë duhet të marrin një përgjegjësi që nuk e kanë në klube. Ky ëshët niveli më i lartë i futbollit. Personalisht duhet të jap edhe më shumë. Shpresoj të bëjmë sa më mirë në ndeshjet e ardhshme”.

MESFUSHORI – Keidi Bare vijon të luajë në Spanjë, por ka ndryshuar ekip. Mesfushori tani është pjesë e Espanyol, skuadër që synon rikthimin direkt në La Liga. I ftuar për ndeshjet me Kazakistanin dhe Lituaninë, fieraku ndodhet në Shqipëri dhe ka dalë para mediave për të folur për gjendjen e kombëtares dhe objektivat.

“Nuk kam çfarë flas me trajnerin, ai vendos çfarë bëjmë në çdo ndeshje dhe stërvitje. Me Lituaninën nuk dhamë maksimumin, ishim të shpërqendruar. Besoj se në dy ndeshjet në vijim do paraqitemi mirë dhe të fitojmë”.

“Këtu jemi të gjithë njësoj. Trajneri vendos kush luan. Nuk do të thotë gjë fakti që kam ndryshuar klub. Jam një lojtar më shumë për kombëtaren. Le të mendojmë për sfidën me Kazakistanin. Fusha do tregojë gjithçka”, u shpreh Bare. /abcnews.al